Site icon Telegrafi

Kurti takon profesorin dhe analistin amerikan Serwer: Mirënjohës për analizën dhe këshillat e tij të mençura

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në zyrën e tij analistin dhe profesorin amerikan Daniel Serwer, të cilin e konsideroi si një diplomat dhe mik të madh të Kosovës.

Kurti, përmes një postimi në platformën “X” tha se  është mirënjohës për analizën e prerë dhe këshillat e mençura të Serwer për çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet Republika e Kosovës.

“Një kënaqësi për t’u rilidhur me Profesorin Daniel Serwer, një diplomat i madh dhe një mik edhe më i madh i Kosovës. Ky ishte takimi i fundit nga takimet e shumta që kemi pasur gjatë më shumë se dy dekadave, por ishte hera e parë që pata privilegjin ta mirëpres në Zyrën e Kryeministrit. Si gjithmonë, jam mirënjohës për analizën e tij të prerë dhe këshillat e tij të mençura për çështjet më të rëndësishme me të cilat përballet Republika jonë dhe qytetarët e saj, dhe rajoni në tërësi”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Serwer po qëndron në Prishtinë ku mori pjesë në diskutimin me temën “E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Mundësitë për dinamika të reja dhe ndikimi i zgjedhjeve në BE dhe SHBA”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version