Site icon Telegrafi

Kurti takon në Davos ekonomistin nga Universiteti i Harvardit, ekonomia jonë u zgjerua dhe niveli i papunësisë u zvogëlua

Shtëpia e Kosovës në Davos u bë shtëpi edhe e bashkëbisedimeve e paneleve të diskutimit përgjatë këtyre ditëve, ku sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në një diskutim ekonomistin nga universiteti i Harvardit, Ricardo Hausmann.

Në njoftimin nga Qeveria, thuhet se Kurti theksoi gjatë bisedës se katër vitet e qeverisjes sonë kanë qenë pozitive, paçka se jemi përballur me kriza të shumta si pandemia Covid 19, e ato energjetike e të inflacionit.

Ai shtoi se menjëherë brenda vitit të parë u punua në sigurimin e vaksinave e vaksinimit të suksesshëm të popullsisë, gjersa me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, u subvencionuan qytetarët që e kursenin energjinë dhe shpërndamë rritjen ekonomike drejt qytetarëve.

“Në vitin 2025, buxheti i shtetit është 50 për qind më i madh sesa në vitin 2021, dhe kjo vjen si rrjedhojë e rritjes sonë impresive ekonomike, e cila ishte mesatarisht 6 për qind e Bruto Produktit Vendor (BPV), duke mos rënë asnjëherë nën 4 për qind të BPV-së. Ekonomia e Kosovës vitin e kaluar për herë të parë i tejkaloi 10 miliardë euro, eksportet i tejkaluan 1 miliard euro, dhe të ardhurat tatimore i tejkaluan 3 miliardë euro”, citohet të ketë thënë Kurti, transmeton Telegrafi.

Ai shtoi se ekonomia jonë u zgjerua dhe niveli i papunësisë u zvogëlua duke rënë nga rreth 26 për qind në rreth 11 për qind, e ku në pranverën e vitit 2021 i patëm 350 mijë të punësuar në Kosovë e tash i kemi më shumë se 430 mijë, duke nënvizuar rritjen e punësimit veçanërisht për të rinjtë dhe gratë.

“Kosova është një shembull i mirë se rritja ekonomike dhe zhvillimi ecin krah për krah me demokracinë dhe sundimin e ligjit”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se luftimi i korrupsionit solli rritje dhe liria solli zhvillim: liria e qytetarëve dhe bizneseve.

Kryeministri foli edhe mbi rëndësinë e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë me shtetet e EFTA-s e cila do të nënshkruhet sot, aspiratat e vendit tonë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, si dhe rëndësinë e rolin e rëndësishëm të diasporës sonë në Zvicër në jetën shoqërore atje, por edhe në zhvillimin e Kosovës.

Nga ana e tij, ekonomisti Ricardo Hausmann u shpreh i nderuar me ftesën dhe i lumtur që ishte pjesë e këtij diskutimi sot. Ekonomisti Hausmann theksoi se progresi ekonomik mbështetet në një popullatë të fuqizuar dhe me të drejta, sepse të drejtat janë thelbësore që qytetarët të mund të kenë ëndrra, paçka nuk mund të ketë dinamizëm ekonomik. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përvojës dhe ekspertizës së diasporës në zhvillimin ekonomik të një vendi. /Telegrafi/

Exit mobile version