Site icon Telegrafi

Kurti takoi anëtarët e Bordit të Drejtuesve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, të emëruar në mbledhjen e 86-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në emër të Bordit, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, njëherësh edhe Kryesuese e Bordit, e njoftoi kryeministrin Kurti për mbledhjen konstituive të mbajtur dje dhe për vendimet e marra në këtë mbledhje.

Në komunikatën e zyrës së kryeministrit Kurti thuhet se, përveç zgjedhjes së Kryesueses dhe Zëvendëskryesuesit të Bordit, me shumicë votash, në këtë mbledhje u vendos që të largohet përkohësisht nga puna drejtori i deritanishëm i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi. Në vend të tij, ushtruesi i detyrës së Drejtorit, u emërua Bujar Kaçuri.

Duke pasur për qëllim të përbashkët ndërtimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, anëtarët e Bordit Drejtues u shprehën se këtij sistemi i paraprijnë hartimi dhe finalizimi i protokolleve klinike, standardizimi i licencimit të profesionistëve shëndetësorë dhe mbi të gjitha finalizimi i sistemit informativ shëndetësor dhe ndërlidhja e tij me të gjitha sistemet tjera relevante.

Kryeministri Kurti ka uruar anëtarët e Bordit për detyrën e tyre të re dhe u dëshiroi suksese në përmbushjen e synimeve të tyre, që njashtu janë edhe të Qeverisë.

Ai tha se Bordi ka mbështetjen e plotë të Qeverisë në realizimin e përgjegjësive dhe qëllimeve të tyre, teksa vendosi theksin te rëndësia e transparencës së këtij institucioni. /Telegrafi/

Exit mobile version