Site icon Telegrafi

​Kurti përsërit shqetësimin mbi sundimin e ligjit në Serbi: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, gurthemel i stabilitetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin mbi sundimin e ligjit në Serbi.

Në rrjetin social “X”, Kurti ka bashkëngjitur një letër që kryetari i Partisë së Socialistëve Evropianë (PES), Stefan Lofven, i ka dërguar kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq, ku flitet për parregullsitë në zgjedhjet e 17 dhjetorit 2023 në Serbi.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë gurthemel i stabilitetit dhe progresit.

“I përsëris shqetësimet e ngritura nga presidenti i PES, Stefan Lofven në lidhje me sundimin e ligjit në Serbi. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si gurthemel i stabilitetit dhe progresit, duhet të mbrohen kolektivisht. Këto shtylla të demokracisë janë vendimtare për aspiratat tona të përbashkëta si socialdemokratë”, shkruan Kurti.

Në letrën që Lofven i ka dërguar Brnabiqit më 9 janar 2024, shprehet shqetësimi mbi parregullsitë e konstatuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë për zgjedhjet e 17 dhjetorit 2023 në Serbi.

“Si një parti politike evropiane që ndan dhe mbron vlerat themelore të Bashkimit Evropian si demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat civile dhe mundësitë e barabarta për të gjitha partitë politike legjitime për të marrë pjesë në zgjedhje, ne duhet të reagojmë për parregullsitë e konstatuara nga Misioni Vëzhgues Ndërkombëtar i Zgjedhjeve (IOEM) gjatë zgjedhjeve në Serbi”, thuhet në letër./Telegrafi/

Exit mobile version