Site icon Telegrafi

Kurti flet për kohën kur e kundërshtonte dialogun: Mos më detyroni të flas për deklaratat e vitit 2010, nuk mund ta ndryshoj të kaluarën

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se nuk i ka ndryshuar qëndrimet në raport me të kaluarën e tij.

Kurti në RTV Dukagjini ka thënë se qëndrimet e së kaluarës kanë ndodhur në momentin kur LVV nuk kishte qenë subjekt garues në zgjedhje.

Ai ka kërkuar nga moderatori i “Debat Plus”, të mos kërkojë nga ai të flas për deklaratat e vitit 2010.

“Kur unë kam garuar në zgjedhje shumë probleme tashmë kanë qenë fakte. Nuk është e mundshme ta ndryshojë krejt çfarë dua realitetin edhe nëse nuk e dua asnjë milimetër atë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai ka thënë  se më mirë për Kosovën do të kishte qenë që ai të ishte kryeministër në vitin 2010, por sipas tij kjo më nuk mund të kthehet.

“Nuk mund të çoj veten tash në veten 2010 e ta lexoj këtë dokument, sepse janë 13 vjet ndërmjet. Unë nuk mund ta kthej kohën. A do të dëshiroja të jem kryeministër prej vitit 2010, besoj që do të ishte më mirë edhe për Kosovën, por tash jam kryeministër më 2023”.

Kurti tha se ai ka ndryshuar vetëm strategjinë, derisa qëndrimet i ka të njëjta.

“Qëndrimin tim vetëvendosës nuk e ndryshoj asnjëherë, por tashmë jam kryeministër i vendit. Unë kam trashëguar një situatë që duhet ta menaxhoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Nuk e kam shpallur pavarësinë që lë UÇK-në jashtë e as nuk e kam pranuar Planin e Ahtisaarit”.

Kurti tha se Marrëveshja e Ohrit nuk është e shkëlqyeshme, por nuk e cenon të ardhmen e Kosovës.

“Kjo nuk është marrëveshje e shkëlqyeshme, por ajo që është e vlefshme nuk na e cenon fare mundësinë për të ecur përpara. Marrëveshjet e kaluara e kanë pasur këtë problem, tavanin e ulët dhe nuk ngriheshim dot. Mos kërkoni prej meje të flas për veten time të vitit 2010. Flasim edhe për 2005, por cili është kuptimi, çfarë është ky obsesion”, ka thënë Kurti./Telegrafi/

Exit mobile version