Site icon Telegrafi

Kurti “ngrin” raportet me BE-në, SHBA-ja ndërmjetësuese me Brukselin

Për 48 orë është shtyrë vendimi për shqiptimin e gjobave për targat ilegale të qetarëve serb të Kosovës. Ky vendim i kryeministri Albin Kurti erdhi menjëherë pas kërkesës së ambasadorit të ShBA-së, Jeff Hovenier. Kryeministri tha se tani SHBA-ja po komunikon direkt me Bashkimin Evropian derisa insiston se duhet vënë një afat për arritjen e marrëveshjes finale për njohje reciproke.

Një kërkesë që i erdhi kryeministrit, Albin Kurti, pas mesnate bëri që ai të zbutej karshi vendimit për targat.

48 orë shtesë për vendimit për targat i janë kërkuar Kosovës nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jef Hovenier, si përpjekje për të arritur marrëveshje mes palëve.

Duket se pozicioni i Hovenier tashmë është shndërruar edhe si ndërmjetësues i Kosovës me BE-në.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos ambasadori Jeff Hovenier është i përkushtuar dhe i angazhuar dhe  unë e falënderoj për këtë. Roli i tij është gjithmonë konstruktiv, pozitiv e kreativ. Tash ai po i bën përpjekjet maksimale, pra SHBA sidomos Hovenier. Ata janë në kontakt me Brukselin. Që prej se ka përfunduar takimi i fundit në kuadër të bisedimeve tetorëshe që i kemi pasur dje, unë nuk kam komunikuar me zëvendës presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borrell, i cili me keqardhje ritheksoi, e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian duke thënë le ta kemi një dakordim për targat. Nuk mjafton dakordimi për targat”, ka thënë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Ndërkohë, krejt kjo situatë po shihet si dorëzim i Kurtit ndaj kërkesave të ShBA-së.

“Kurti me vogëlsinë e tij dhe ka mbetur në hije. Unë më shumë preferoj të mendojë se më shumë i ka lutur ai të tjerët që ta lusin sesa ka pas një presion”, ka thënë Anton Berisha, ish-diplomat.

Për dikë tjetër, paraqitja e Borrell ka qenë kërcënuese për Kosovën, për çka edhe është dashur reagimi amerikan.

“Shihet që situata në teren mund të eskalojë. Domethënë situata është sensitive dhe përfshirja e Amerikës është e domosdoshme ngase ata e shohin nga perspektiva e sigurisë”, ka deklaruar juristi Bardhyl Hasanpapaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për herë të parë ka përmendur se marsi i viti 2023 është përmendur si afati i fundit nga Bashkimi Evropian për vendosjen rreth planit franko-gjerman për marrëveshje finale./RTV Dukagjini/

Exit mobile version