Telegrafi

Kurti merr pjesë në ceremoninë e LGBTI “T’du qashtu qysh je”: Liria për të dashuruar është e drejtë universale

Kryeministri Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Javës së Krenarisë/Paradës së Krenarisë, me moton “T’du qashtu qysh je!”, që u organizua nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile CSGD dhe CEL.

Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues diplomatikë, anëtarë të shoqërisë civile dhe të ftuar të tjerë, kryeministri Kurti tha se në fillimin e Javës së Krenarisë, kujtohemi se liria për të dashuruar është e drejtë universale, duke e quajtur dashurinë një lloj kushti të lirisë.

Kurti theksoi se të lashtët e kuptonin Dashurinë si një lidhje ndërmjet shpirtrave, e cila shkon përtej botës fizike.

“Ata i jepnin rëndësi jo vetëm në lidhje romantike, por edhe në lidhje të kultivuara me prindërit, fqinjët, të panjohurit dhe hyjnitë.”

Java e Krenarisë ka për qëllim mbështetjen dhe promovimin e diversitetit dhe barazisë për komunitetin LGBTI në Republikën e Kosovë, përmes aktivitetet të ndryshme.