Kryeministri në detyrë Albin Kurti së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari vizituan sot Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës (KEK).
Aty u pritën nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv Luigj Imeri, anëtarët e bordit të përkohshëm të drejtorëve, anëtarë të menaxhmentit të KEK-ut dhe përfaqësuesit e punëtorëve.
Në këtë vizitë u përfshinë vizitat në termocentralin “Kosova A”, divizionin e qymyrit dhe termocentralin “Kosova B”. Kurti u informua mbi punën e kësaj korporate, veçanërisht në situatë pandemie.
Sipas Imerit, në përputhje me këshillat mjekësore dhe masat e qeverisë me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, KEK-u ka reduktuar stafin e punëtorëve.
“Megjithatë, prodhimi nuk është ndaluar e as nuk ka munguar, ashtu që furnizimi me energji elektrike për qytetarët e Republikës së Kosovës të jetë i rregullt. Punëtorët janë pajisur me masat mbrojtëse me kohë dhe gjatë gjithë kohës, si dhe kanë respektuar udhëzimet përkatëse”, tha Imeri.
Kurti tha se KEK-u është pasuri natyrore, kapacitet prodhues dhe organizatë e punëtorëve.
“KEK-u ka nevojë për investime të duhura, menaxhim të mirë dhe ndërlidhje me hallkat e ekonomisë duke qenë se energjia është epiqendër e zhvillimit ekonomik”, tha Kurti.
Në mbledhjen e 26-të të Qeverisë Kurti, është marrë vendim për shkarkimin e bordit të drejtorëve në Ndërmarrjen Publike Qendrore “Korporata Energjetike e Kosovës”. Në po atë vendim, qeveria në KEK ka emëruar Rrezarta Pllanën kryesuese dhe drejtore, Merita Kasapollin drejtore, Arbnor Pulën drejtor dhe Bezad Halilaj drejtor. /Telegrafi/