Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka numëruar të gjitha votat e rregullta për subjektet politike, ndërkaq po vazhdon me numërimin e votave për kandidatët për deputetë.
Së fundmi KQZ ka filluar publikimin e numrit të votave të kandidatëve të secilit subjekt politik.
E nga numërimi i mbi 90% të votave për kandidatë, kandidati më i votuar për kryeministër nga katër sa ishin në garë, del të jetë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kurti ka marrë deri më tani 259 mijë e 532 vota. Pas tij më i votuar është kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza me 150 mijë e 294 vota.
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku është i treti me 109 mijë e 202 vota dhe i katërti Ramush Haradinaj nga AAK me 37 mijë 752.
Në nivel vendi nga numërimi i votave të rregullta Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë më 40.80% apo 342 mijë e 281 vota. E dyta renditet Partia Demokratike me 22.03% apo 184 mijë e 811 vota.
Në vendin e tretë sipas KQZ-së është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.63% apo 147 mijë e 888 vota dhe në vendin e katërt koalicioni AAK-Nisma me 7.46% apo 62 mijë e 588 vota.
Duhet theksuar se këto rezultate nuk përfshihen rezultatet e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës, numërimi i të cilave do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. /Telegrafi/