Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Dragashi dhe Graçanica janë pjesë e nëntë komunave të përzgjedhura për të përfituar nga procesi i lehtësimit të barrës administrative.
Kjo përzgjedhje është bërë me synim të veçantë për të përmirësuar qasjen në shërbime për komunitetet jo shumicë që jetojnë në këto zona.
“Qasja në shërbimet publike duhet të jetë sa më e lehtë për çdo qytetar, efiçente, e shpejtë dhe me kosto të ulët,” deklaroi kryeministri Kurti.
Përpjekjet e qeverisë janë të drejtuara kah përmirësimi i përvojës qytetare dhe reduktimi i barrës burokratike, me qëllim të ofrimit të një standardi më të lartë të shërbimit.
Në një takim të organizuar me përfaqësues nga komunitetet serb, boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptian, si edhe nga Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim dhe nga shoqëria civile, u diskutuan mënyrat se si këto ndryshime do të ndikojnë pozitivisht në sektorë si arsimi dhe shëndetësia.
Gjithashtu, u trajtua ndikimi i tyre në fushat ekonomike dhe në investime, faktorë kyçë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Kurti tha se, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë në nivel qendror dhe lokal, qeveria po thellon angazhimin e saj për të implementuar modelin më të përshtatshëm dhe të sjellë shërbime të cilësisë së lartë për të gjithë.
“Administrata publike është pasqyra e shtetit dhe tregon standardin dhe nivelin e institucioneve tona,” tha ai, duke theksuar se “të gjithë qytetarët, pa dallim, meritojnë shërbime sa më të mira dhe procedura sa më të lehtësuara.”