Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka adresuar akuza ndaj sistemit të drejtësisë, veçmas kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Sipas tij, qeveria e Kosovës nuk mund ta bëjë prokurorinë dhe gjyqësinë, prandaj ende s’është zbardhur rasti i Astrit Deharit.
Ai në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se qeveria ka ndryshuar katër vjet më parë, por njerëzit kryesor në Këshillin Prokurorial dhe Gjykatën Kushtetuese janë ende të njëjtë.
Kreu qeveritar sërish përmendi mungesën e daljes në zgjedhje të njerëzve që udhëheqin sistemin e drejtësisë.
Krahas kësaj, ai nënvizoi se sistemi i drejtësisë s’po dëshiron të reformohet.
“Qeveria e Kosovës nuk mund ta bëjë edhe prokurorinë dhe gjyqësinë. Prokuroria duhet të zbardh rastin e shokut tonë, të mbytur në burgun e Prizrenit me 5 nëntor 2016, Astrit Dehari. Prokuroria nuk është reformuar. Ne vitin e ardhshëm i bëjmë 4 vjet qeverisje, por KPK-ja është e njëjta. Aty në krye edhe më tutje me ndikim dhe funksion është Blerim Isufaj, i cili vrasjen e Dino Asanaj e shndërroi në vetëvrasje dhe vetëvrasjen e Ismet Sopës e shndërrojë në vrasje. Ky është problemi të nderuar deputetë….Edhe në krye të Gjykatës Kushtetuese edhe në krye të Prokurorisë së shtetit kemi njerëzit e njëjtë, pasi ata s’po dalin në zgjedhje në popull pasi ish marr vesh çka mendon populli për ta. Prandaj ka këtë ngecje. Edhe iniciativa për reformimin e sistemit të drejtësisë po përfundojnë në sistemin e drejtësisë i cili s’po dëshiron të reformohet”, tha Kurti.
Kreu qeveritar para deputetëve foli edhe për situatën në veri dhe sulmin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Ai tha se bandat kriminale e kanë humbur veriun, prandaj po bëjnë sulme të tilla terroriste.
“Kur ka qenë komandanti serb i policisë që marrke rrogën edhe Prishtinë dhe Beograd, pse me gju granatën e dorës. Ai po e gjuan granatën e dorës tash se s’është aty. Pikërisht pse e kanë humbur veriun po i bëjnë këto sulme terroriste”, tha ai.
Në anën tjetër, kreu qeveritar kritikoi deputetët opozitarë për mungesë interesimi për seancën e thirrur nga ta për katër vjet qeverisje.
Sipas tij, liderët opozitarë i preferojnë studiot televizive të oligarkëve, unë shtëpinë e popullit e të Kuvendit.
“Sonte kur po raporton kryeministri, jo me vullnetin e tij por me obligimin e opozitës janë vetëm shtatë deputetë. A dini çfarë asnjëri prej tre kryetarëve të partive politike s’ka qenë sot. Jo vetëm sot por edhe kur e kemi diskutu buxhetin s’ka qenë asnjëri prej tyre me 21 nëntor sivjet. Si vjet që mund të thuhet se tre kryetarët e partitive opozitare që dalin në fushatë dhe vitin e ardhshëm janë zgjedhjet dhe kur vjen puna qoftë për buxhetin, apo raportimin katërvjecarë në parlament s’është asnjëri këtu. Por ne kemi një dallim themelor me kolegët e mi të kryetarëve të partive politike. Ata më shumë i përfitojnë studiot televizive të oligarkëve. A unë shtëpinë e popullit të Kuvendit. Ky është dallimi”, theksoi Kurti.
Sipas tij, pritjet e opozitës ndaj qeverisë janë të larta, andaj për t’i përfunduar të gjitha projektet nevojitet edhe një mandat.
“Pritjet e opozitës kanë qenë më të mëdha se të mazhoranës. Ne dëshirojmë shumë më shumë, por bash shpejt siç po doni ju s’po mundemi me mbërri, prandaj na nevojitet edhe një mandat”, përfundoi Kurti.