Site icon Telegrafi

Kur muzika bashkon izraelitët dhe palestinezët

Daniel Barenboim gjatë ushtrimeve me Orkestrën e Divanit Perëndim-Lindje, në Filarmoninë e Berlinit (Foto: Sean Gallup/Getty Images)

Nga: Daniel Barenboim, pianist dhe dirigjent / The Guardian (titulli origjinal:  In our orchestra, Israelis and Palestinians found common ground. Our hearts are broken by this conflict)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Muzika është njëra mënyrë për t’i bashkuar njerëzit – të gjithë ne jemi qenie të barabarta njerëzore që meritojmë paqen, lirinë dhe lumturinë.

Të gjithë neve na kanë tronditur thellë ngjarjet në Izrael dhe në Gaza. Nuk ka asnjë justifikim për aktet barbare terroriste të Hamasit kundër civilëve, përfshirë fëmijët dhe foshnjat. Duhet ta pranojmë këtë dhe ta ndalojmë. Dhe, duhet t’i bëjmë thirrje Izraelit të respektojë ligjin ndërkombëtar teksa po përgatitet për të pushtuar Gazën. Por, hapi tjetër është të shtrojmë pyetjen: çfarë tash? A i dorëzohemi kësaj dhune të tmerrshme dhe a lejojmë të vdesin përpjekjet tona për paqen – apo këmbëngulim se duhet dhe mund të ketë paqe? Jam i bindur se duhet të ecim përpara dhe ta kemi parasysh kontekstin më të gjerë të konfliktit.

Në vitin 1999, me mikun tim Eduard Said e formova Orkestrën e Divanit Perëndim-Lindje [West-Eastern Divan Orchestra], në mënyrë që muzikantë e rinj nga gjithë Lindja e Mesme të mund të mblidheshin, të flisnin dhe të interpretonin së bashku. Sot, muzikantët tanë në Divanin Perëndim-Lindje dhe studentët tanë në Akademinë “Barenboim-Said”, pothuajse të gjithë janë drejtpërdrejt të prekur nga konflikti. Shumë prej muzikantëve jetojnë në rajon, ndërsa të tjerët kanë shumë lidhje me vendlindjen. Kjo ma forcon bindjen se mund të ketë vetëm një zgjidhje për këtë konflikt: zgjidhje të bazuar në humanizëm, në drejtësi dhe në barazi, dhe pa forca të armatosura dhe pa okupim.

Mesazhi ynë i paqes duhet të jetë më i zëshëm se kurrë. Rreziku më i madh është se të gjithë njerëzit që me aq zell e duan paqen, do të mbyten nga ekstremistët dhe nga dhuna. Por, çdo analizë, çdo ekuacion moral që mund ta hartojmë, në thelb duhet të ketë këtë kuptim bazik: ka njerëz në të dyja anët. Njerëzimi është universal dhe njohja e kësaj të vërtete është e vetmja rrugë. Vuajtjet e njerëzve të pafajshëm, në të dyja anët, janë absolutisht të padurueshme.

Zemrat tona thyhen nga pamjet e sulmeve terroriste shkatërruese nga Hamasi. Ky impuls është thelbësor për të empatizuar gjendjen e të tjerëve. Sigurisht, dhe veçanërisht tani, duhet të lejohen edhe emocione e tilla si frika, dëshpërimi dhe zemërimi – por, në momentin që kjo na bën t’ia mohojmë njëri-tjetrit njerëzimin, ne veçse jemi të humbur. Çdo person i vetëm mund ta bëjë një ndryshim dhe të ofrojë diçka. Kështu, në një shkallë të vogël i ndryshojmë gjërat. E, në shkallë më të gjerë – kjo varet nga politika.

Duhet të ofrojmë perspektiva të tjera për ata që tërhiqen nga ekstremizmi. Në fund të fundit, ata që gjejnë vend aty zakonisht janë njerëz pa kurrfarë perspektive, të dëshpëruar, që i përkushtohen ideologjive vrastare. Edukimi dhe informacioni janë po aq thelbësorë, sepse ka kaq shumë gjëra të bazuara krejtësisht në dezinformata.

Për të përsëritur më qartë: konflikti izraelito-palestinez nuk është konflikt politik mes dy shteteve për kufijtë, për ujin, për naftën apo për burimet e tjera. Në thelb është konflikt njerëzor mes dy popujve që kanë njohur vuajtjet dhe persekutimet. Persekutimi i popullit hebraik gjatë 20 shekujve, kulmin e arriti me ideologjinë naziste që vrau gjashtë milionë hebrenj.

Populli hebraik kishte një ëndërr: një tokë të veten, një atdhe për të gjithë hebrenjtë. Por, nga kjo ëndërr erdhi supozimi thellësisht problematik – sepse, në thelb ishte i rremë: një tokë pa popull për një popull pa tokë. Në realitet, popullsia hebraike e Palestinës ishte vetëm tetë përqind në fund të Luftës së Parë Botërore. Prandaj, 92 përqindëshi i popullsisë nuk ishin hebrenj, por palestinezë – një popullsi kjo e rritur përgjatë shekujve. Vendi vështirë se mund të quhej “tokë pa popull” dhe popullsia palestineze nuk shihte asnjë arsye për të hequr dorë nga toka e vet. Kështu, konflikti ishte i pashmangshëm dhe frontet vetëm sa janë ngurtësuar për më tej përgjatë brezave. Jam i bindur se izraelitët do të kenë siguri kur palestinezët do të kenë shpresë – pra, drejtësi. Të dyja palët duhet t’i njohin armiqtë e vet si qenie njerëzore dhe të përpiqen të bashkohen me këndvështrimin e tyre, me dhimbjen dhe vështirësitë e tyre. Izraelitët duhet gjithashtu të pranojnë se pushtimi i Palestinës është i papajtueshëm me këtë.

Për ta kuptuar këtë konflikt mbi 70-vjeçar, kryesorja ka qenë miqësia ime me Saidin. Te njëri-tjetri e gjetëm homologun që mund të na shpinte tutje, të na ndihmonte që ta shohim më qartë tjetrin dhe ta kuptojmë atë më mirë. E njohëm dhe e gjetëm njëri-tjetrin në njerëzimin tonë të përbashkët. Për mua, puna jonë e përbashkët me Divanin Perëndim-Lindje, që vazhdimin logjik dhe ndoshta edhe kulmimin e ka te Akademia “Barenboim-Said”, mbase është aktiviteti më i rëndësishëm i jetës sime.

Në situatën aktuale, natyrshëm pyes veten për rëndësinë e punës sonë të përbashkët në orkestër dhe në akademi. Mund të duket e paktë – por, vlerë të jashtëzakonshme ka fakti i thjeshtë se muzikantët arabë dhe izraelitë ndajnë podiumin e përbashkët në çdo koncert dhe se së bashku bëjnë muzikë. Me kalimin e viteve, përmes kësaj të përbashkëte të krijimit të muzikës, por edhe përmes diskutimeve tona të panumërta, e ndonjëherë të nxehta, kemi mësuar ta kuptojmë më mirë tjetrin, t’i afrohemi dhe ta gjejmë gjuhën e përbashkët. I fillojmë dhe i përfundojmë të gjitha debatet, sado kontroverse, me kuptimin themelor se të gjithë jemi qenie të barabarta njerëzore që meritojmë paqen, lirinë dhe lumturinë.

Kjo mund të tingëllojë si diçka naive, por nuk është: sepse, ky mirëkuptim duket se plotësisht ka humbur në konfliktin e të dyja palëve sot. Përvoja jonë tregon se ky mesazh ka arritur te shumë njerëz në rajon dhe në mbarë botën. Ne duhet, duam dhe do të vazhdojmë të besojmë në njerëzimin tonë të përbashkët. Muzika është mënyra për të na afruar më shumë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version