Kushtoni kujdes simptomave, sepse mund të jenë të rrezikshme
Nuk ekziston prind i cili nuk ndien panik kur fëmija rrëzohet dhe rastësisht bie në kokë.
Mirëpo, në shumicën e rasteve, kur bebja godet kokën, do të kalojë pa u lënduar por me ndonjë hematomë.
Megjithatë, si mund të dinë prindërit se a ka pësuar fëmija ndonjë lëndim serioz apo çdo gjë është tërësisht në rregull?
Kushtoni kujdes simptomave
Çdo humbje e vetëdijes apo deformitet i kafkës së fëmijës pas rrëzimit kërkon urgjentisht ndihmën mjekësore, tërheqin vërejtjen neurokirurgët.
Mirëpo, nëse bebja është e vetëdijshme dhe sillet normalisht, atëherë nuk ka kurrfarë arsye për panik.
Nëse prindi vëren që fëmija sillet ndryshe – vjell, ka marramendje, neveri, ha më pak apo ka probleme të përdorë pjesë të caktuara të trupit, menjëherë duhet ta çoni në qendrën urgjente.
Në rast që asnjë nga këto simptoma nuk janë të pranishme, nuk ka nevojë që bebja të alarmohet apo të detyrohet të qëndrojë zgjuar, transmeton Telegrafi.
Kur nuk ka arsye për brengosje
Ekspertët tërheqin vërejtjen që është plotësisht e zakonshme që bebja të reagojë ndaj stresit apo lëndimit, duke qenë e përgjumur.
Megjithatë, përgjumja konstante mund të tregojë që diçka është shumë më serioze, mirëpo rekomandohet që prindërit të lënë fëmijën që të flejë, sepse gjumi do t’i ndihmojë të ndihet më mirë.
Në rast që bebja është e irrituar dhe reagon ndaj zgjimit, atëherë prindërit duhet ta lënë të flejë gjumë, por në rast që nuk reagon, duhet patjetër të dërgohet te mjeku.
Nëse fëmija lëndon kokën nuk do të thotë që jeni prind i keq
Ekspertët tërheqin vërejtjen që lëndimet e lehta të trurit shërohen vetvetiu dhe pa kurrfarë pasojash të ardhshme dhe këshillojnë prindërit që në të ardhmen të jenë më të kujdesshëm kur është fjala për fëmijët e tyre. /Telegrafi/