Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lista “Guxo”, pjesë e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Jeta Statovci në emisionin “Përballje” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com ka numëruar disa nga arsyet se pse kundërshtuan themelimin e një komisioni hetimor për rezervat shtetërore, pas dyshimeve të bazuara për abuzimet e mundshme lidhur me procesin e furnizimit të rezervës shtetërore, që është kompetencë e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Në emision ajo gjithashtu ka folur edhe për pritjet se çka do të ndodhë tash e tuje me dialogun Kosovë- Serbi.
Statovci gjithashtu u është përgjigjur kritikave të opozitës për mënyrën se si po qeveris kabineti qeveritar.
Deputetja Statovci në “Përballje”, deklaroi se opozita themeloi një Komision hetimor për rezervat shtetërore, ndërkaq vazhdon të mos votojë ligje tjera që janë shumë të rëndësishme.
“Ne gjithmonë e kemi mbështetur çfarë do nevoje për të kërkuar informacion dhe për të validuar çfarë do dyshimi të mundur, çështja në raport me themelimin e një komisioni hetimor ka të bëjë gjithashtu edhe me racionalizimin e kohës dhe angazhimeve tona. Mendoj që si deputetë, ka përplot mekanizma ose hapësira ku ne shprehim qëndrimet tona politike, p.sh janë komisionet, janë diskutimet, debatet, interpelancat, ku mund të ngritën çështjet me interes.
U tha që ky komision hetimor po themelohet nën idenë e interesit së qytetarëve, por në anën tjetër kemi një pozicionim të tyre ku opozita nuk voton asnjë ligj, asnjë pjesëmarrje politike. Mirëpo, gjithashtu nuk voton marrëveshjet ndërkombëtare që kanë një vlerë prej 300 milionë euro”, tha ajo.
Gjatë intervistës, deputetja Statovci konsideroi se një komision i tillë nuk ka qenë i nevojshëm, pasi sipas saj, Prokuroria është duke zhvilluar hetimet.
“Kur themelohet një komision hetimor ka për qëllim që dokumentet që i nxjerrë, t’i adresojë në prokurori, kurse në situatën aktuale kemi edhe prokurorinë edhe policinë të involvuar. Nën 2, nuk pritet të dërgohet nga ky komision diçka në prokurori, pasi është proces që është e përfshirë policia dhe prokuroria. Komisioni hetimor operon me materialet që merr nga Ministria e Drejtësisë, në anën tjetër kemi parë që trupat e policisë kanë hy në ministri dhe kanë marrë materialet për të trajtuar në organet e drejtësisë. Ne kemi dhënë argumentet tona pse nuk është i nevojshëm ky proces, nga ana e prokurorisë dhe janë dy padi nga ministria që nuk janë përmbushur kontratat”, tha mes tjerash ajo.
Deputetja theksoi se pozicioni i LVV-së, për këtë rast është së mungon sensi logjik.
“Ne nuk e gjykuam veprimtarinë e prokurorisë, ne kemi një proces paralel, komisioni hetimor e dorëzon dosjen me të gjeturat. Pozicioni ynë është se mungon sensi logjik, dhe prodhon një proces dublikativ, për të mos lënë hapësirë për të dyshime dhe asnjë tendence për të ikur nga e vërteta, kemi edhe përfaqësuesit tanë politikë gjithashtu edhe dominohet”, pohoi ajo.
Ndryshe, të enjten, me 69 vota për, një kundër dhe gjashtë abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë themeluar Komisionin hetimor për rezervat shtetërore.
Kjo iniciativë ka ardhur nga opozita pas dyshimeve të bazuara për abuzimet e mundshme lidhur me procesin e furnizimit të rezervës shtetërore, që është kompetencë e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, drejtuar nga Rozeta Hajdari.
Ky Komision është propozuar që t’i ketë 11 anëtarë, ku LVV do t’i ketë 5 anëtar, PDK do ta ketë kryesuesin dhe 1 anëtar, LDK-ja zëvendëskryetarin dhe 1 anëtar, AAK-ja dhe grupi multietnik nga 1 anëtar. /Telegrafi/