Site icon Telegrafi

Kundërshtohet përzgjedhja e Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit – KPK thotë se procesi ishte plotësisht legjitim

Ditën e djeshme Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar në mënyrë unanime Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Lidhur me këtë votim të KPK-së, janë shprehur të pakënaqur shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier si dhe OJQ-të në Kosovë.

Shefi i BE-së në Kosovë u shpreh i zhgënjyer dhe i habitur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.

Ai përmes një reagimi tha se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor, e që sipas tij KPK i ka shpërfillur këto parime.

Ambasadori gjerman Jorn Rohde tha se ky proces është vërtetë zhgënjyes dhe jo rruga përpara e Kosovës.

“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shrkoi në Twitter ambasadori Rohde.

Lexo po ashtu Përzgjedhja e Kryeprokurorit, pas BE-së edhe Gjermania shprehet e zhgënjyer me këtë proces

Pas kësaj ka ardhur reagimi edhe nga ambasadori amerikan, Jeff Hoevenier duke thënë se fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard.

“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard. Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK, si institucion publik”, tha ai.

Lidhur me këto reagime, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në një përgjigje me shkrim për Telegrafin ka thënë se procesi ishte plotësisht legjitim, dhe se ka zhvilluar të gjitha procedurat e parapara dhe në përfundim ka propozuar për emërim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj, procedura këto që sipas KPK-së  janë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

“Mbi të gjitha, KPK-ja ka treguar një transparencë të madhe publike, e cila dëshmohet me rastin e transmetimit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit në RTK, publikimin në uebportal të të gjitha koncept-dokumenteve të kandidatëve dhe pjesëmarrjes aktive në takime dhe gjatë intervistimit të kandidatëve të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, gjë që ju jemi shumë mirënjohës dhe i falënderojmë. Prandaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se ky proces është plotësisht legjitim, sepse është përcjellë me objektivet, me transparencë, me gjithë përfshirje dhe është bazuar në meritokraci”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Lexo po ashtu Përzgjedhja e Kryeprokurorit, pas BE-së edhe Gjermania shprehet e zhgënjyer me këtë proces

Të mërkurën tri organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar presidentes të mos e dekretoj Isufajn për kryeprokuror të vendit.

Në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull  “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ky koalicion ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.

Telegrafi ka pyetur edhe në zyrën e presidentes se cili do të jetë veprimi i saj në këtë rast, mirëpo të njëjtit kanë deklaruar se nuk kanë përgjigje tash për tash për këtë çështje.

Konkursi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ishte shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 12 janar 2022, kjo pasi Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill 2022./Telegrafi/

Exit mobile version