Nga: Woody Allen (pjesë nga përmbledhja me tregime, “Side Effects”[1], 1980)
Përktheu: Agron Shala
Kugelmesi, profesor i Shkencave Humane në Universitetin e Nju Jorkut, nuk ishte i lumtur me martesën e vet të dytë. Dafne Kugelmes ishte budallaqe. Ai i kishte edhe dy djem teveqelë me gruan e vet të parë Flo dhe ishte deri në fyt i zhytur me alimentacion e me mbështetjen e fëmijëve.
“A më ka shkuar mendja se do të bëhen gjërat kaq keq?”, një ditë Kugelmesi iu ankua psikologut të vet. “Dafne mund të ishte speciale. Kush dyshonte se do të lejonte të fryhej si top plazhi? Plus kishte para, gjë që nuk është arsye e mirë për ta martuar një person, por nuk ishte keq për gjendjen time financiare. A më kupton”?
Kugelmesi ishte tullac dhe leshatak si arusha, por kishte ndjenja.
“Më duhet ta takoj një grua të re”, vazhdoi ai. “Kam nevojë për një aferë. Ndoshta nuk jam i përshtatshëm për këtë, por jam burrë që ka nevojë për një romancë. Kam nevojë për butësi. Kam nevojë për flirt. Nuk po rinohem ndaj, para se të bëhet tepër vonë, dua të çoj dashuri në Venedik, të këmbej llafe të mençura në ’21’-sh[2], të shkëmbej vështrime të ndrojtura përmes dritës së qiririt duke pirë verë të kuqe. A e kupton se çfarë po them?”
Dr. Mandeli lëvizi karrigen dhe i tha: “Afera nuk zgjidhë gjë. Nuk je real. Problemet tua janë shumë më të thella”.
“Dhe, gjithashtu, kjo aferë duhet të jetë diskrete”, vazhdoi Kugelmesi. “Nuk mund ta përballoj shkurorëzimin e dytë. Dafne do të më shkallmonte”.
“Z. Kugelmes”.
“Por, nuk mund të jetë kushdo në Universitet të qytetit, sepse Dafne gjithashtu, punon aty. Jo se dikush është e veçantë në Universitetin e qytetit të Nju Jorkut, por disa nga ato studentet…”
“Z. Kugelmes”.
“Më ndihmo. Kam parë mbrëmë një ëndërr. Po kaloja nëpër një livadh duke e mbajtur një shportë pikniku e në shportë shënohej ‘Opsionet’. Pastaj e pashë se ishte një vrimë aty në shportë”.
“Z. Kugelmes, gjëja më e keqe që mund të bëni është të ndërmerrni veprime të gabuara. Ju duhet që sinqerisht t’i shprehni ndjenjat tuaja këtu e që ne së bashku t’i analizojmë ato. Unë jam psikolog, jo magjistar”.
“Atëherë, ndoshta ajo për çfarë kam nevojë është një magjistar”, tha Kugelmesi, duke u ngritur nga karrigia e vet. Me këtë e ndërpreu seancën e terapisë.
Disa javë më vonë, teksa Kugelmesi dhe Dafne po rrinin mërzitshëm në banesën e tyre, si dy pjesë të vjetra të mobileve, telefoni cingëroi.
“E kap unë”, tha Kugelmesi: “Alo”.
“Kugelmes?”, tha një zë. “Kugelmes, jam Përski”.
“Kush”?
“Përski, apo ndoshta duhet të them, Përski i Madh”?
“Më falni”?
“Dëgjova se po e kërkoni një magjistar nëpër qytet, për t’ia sjellë një ekzotikë të vogël jetës suaj? Po apo jo”?
“Shuej”, pëshpëriti Kugelmes. “Mos e ndal. Nga ku po më thërret, Përski”?
Menjëherë, pasditen e nesërme, Kugelmesi i ngjiti tri kate shkallë të një ndërtese të vjetër apartamentesh në pjesën Bushvik të Bruklinit. Duke lëvizur nëpër korridorin e errët, e gjeti derën që po e kërkonte dhe i bie ziles. Do të pendohem për këtë, tha me vete.
Ca sekonda më vonë u përshëndet nga një njeri i shkurtër, i hollë dhe i pudrosur.
“Je Përski i Madh?”, e pyeti Kugelmesi.
“Përski i Madh. Do një çaj”?
“Jo. Dua romancë. Dua muzikë. Dua dashuri dhe bukuri”.
“Por, jo çaj, hë? Mirë shumë. Në rregull pra, ulu”.
Përski shkoi në dhomën e pasme dhe Kugelmesi e dëgjoi zhurmën e kutive dhe orendive që po lëviznin. Përski u rishfaq duke shtyrë para tij një objekt të madh me rrota të ndryshkura. Hoqi disa shami të mëndafshta që ishin lart si dhe pak pluhur. Ishte si një orman i lirë kinez, i lyer keq me llak.
“Përski”, pyeti Kugelmesi, “cili është marifeti yt”?
“Ki kujdes”, tha Përski. “Kjo është një gjë e bukur. E kam zhvilluar vitin e kaluar për Vëllazërinë e Pitias[3], por takimi dështoi. Futu brenda ormanit”.
“Pse, që të ngulësh shpata apo diçka tjetër”?
“A po e sheh ndonjë shpatë”?
Kugelmesi e shtrembëroi fytyrën dhe duke folur si nëpër dhëmbë, u fut në orman. Nuk mund të mos i vërente disa diamante të rrem ngjitur mbi panelet e palëmuara para fytyrës së tij. “Mos është ndonjë shaka?!”, pyeti ai.
“Pak shaka. E tash, esenca është kjo. Nëse e hedh çfarëdo romani në këtë orman ku je ti, i mbylli dyert dhe trokas tri herë, do ta gjesh veten të projektuar në atë libër”.
Kugelmesi e bëri një grimasë të mosbesimit.
“Është e vërtetë”, tha Përski. “Dorën në zemër, jo veç një roman. Një histori e shkurtër, një dramë, një poezi. Mund ta takosh cilëndo nga gratë e krijuara prej shkrimtarëve më të mirë të botës. Këdo që ke ëndërruar. Mund të kesh aferë dashurie me këdo, si fitimtar i vërtetë. Më pas, kur mjaftohesh me këtë, e lëshon një britmë dhe do të të shoh prapë këtu për një shkëndijë sekonde”.
“Përski, mos je i sëmurë”?
“Po të them se gjithçka është e vërtetë”, tha Përski.
Kugelmesi ishte skeptik. “Ti po më thua se kjo kuti e keqe e punuar në shtëpi mund të më çojë në udhëtimin që po e përshkruan”?
“Për 20 dollarë”.
Kugelmesi e nxori kuletën. “Do ta besoj këtë kur ta shoh”, tha ai.
Përski i futi paratë në xhepin e pantallonave dhe u kthye drejt raftit të librave. “Kë do ta takosh? Motrën Keri[4]? Hester Prinin[5]? Ofelinë[6]? Ndoshta dikush nga Sol Belou[7]? Hej, çka mendon për Tempëll Drejkun[8]? Edhe pse për një mashkull në moshën tënde, do të ishte ushtrim i rëndë fizik”.
“Franceze. Dua një aferë me një dashnore franceze”.
“Nana[9]”?
“Nuk dua të paguaj për të”.
“Po Natasha te ‘Lufta dhe Paqja’?[10]”
“Të thashë, franceze. Çka mendon për Ema Bovarinë? Më duket e përkryer”.
“U bë Kugelmes. Ma lësho një britmë kur mbaron punë”.
Përski hodhi një kopje të romanit të Flobertit.[11]
“A je i sigurt se është sahi kjo punë?”, pyeti Kugelmesi, teksa Përski po i mbyllte dyert e ormanit.
“I sigurt. A ka ndonjë gjë të sigurt në këtë botë të çmendur”?
Përski trokiti tri herë mbi orman dhe më pas hapi dyert.
Kugelmesi u zhduk. Në të njëjtin çast u shfaq në dhomën e gjumit të shtëpisë në Jonvil të çiftit Çarls dhe Ema Bovari. Para tij ishte një grua e bukur, që rrinte me shpinë të kthyer nga ai teksa paloste ca çarçafë liri. Nuk mund ta besoj këtë, mendoi Kugelmesi duke e shikuar gruan atraktive të doktorit. Është e çuditshme. Jam këtu. Është ajo.
Ema u kthye e befasuar. “O Zot, më frikësuat”, tha ajo. “Kush jeni ju”? Ajo foli me një anglishte të mirë, të përkthyer si në libër.
Është thjesht mbresëlënëse, mendoi ai. Pastaj, duke e ditur se ishte ai që ajo iu drejtua, tha: “Më falni, jam Sidni Kugelmes, nga Universiteti i Qytetit. Profesor i Shkencave Humane në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut? Në zonën rezidenciale. Oh Zot”!
Ema Bovari buzëqeshi në mënyrë joshëse dhe tha: “Doni të pini diçka? Ndoshta një gotë verë”?
Ajo është e bukur, mendoi Kugelmesi. Çfarë kontrasti me shpellaren me të cilën ndante shtratin e tij. E ndjeu një impuls të papritur për ta kapur këtë vizion në krahët e tij dhe për t’i thënë se ishte ai soj femre që e kishte ëndërruar gjatë gjithë jetës.
“Po, ca verë”, tha si duke hungërirë. “Të bardhë. Jo, të kuqe. Jo, e bardhë. Le të jetë e bardhë”.
“Çarlsi do të jetë jashtë gjatë gjithë ditës”, tha Ema, e zëri i saj kishte nënkuptime lozonjare.
Pasi pinë verë, shkuan për një shëtitje në fshatin e bukur francez. “Kam ëndërruar gjithmonë që një i huaj misterioz do të shfaqet dhe do të më shpëtojë nga monotonia e kësaj ekzistence të pagdhendur rurale”, tha Ema, duke ia shtrënguar dorën. Ata kaluan pranë një kishe të vogël. “I dua këto që ke veshur”, pëshpëriti ajo. “Asnjëherë s’kam parë diçka të tillë këndej. Është kaq… kaq moderne”.
“Quhet veshje sportive”, tha ai në mënyrë romantike. “Ishin në lirim”. Papritmas e puthi. Orën tjetër u shtrinë nën një pemë duke pëshpëritur e duke i treguar njëri-tjetrit gjëra të thella e kuptimplota përmes syve të tyre. Pastaj Kugelmesi u çua. Sapo iu kujtua se duhej ta takonte gruan e tij Dafne në shitoren luksoze “Blumingdejls[12]”. “Duhet të shkoj”, i tha. “Por, mos u mërzit, se do të kthehem”.
“Shpresoj se po”, tha Ema.
Ai e përqafoi me pasion dhe të dy u nisën për në shtëpi. E kapi fytyrën e Emës me shuplakat e duarve dhe e puthi përsëri e bërtiti: “Në rregull, Përski. Duhet të jem në ‘Blumingdejls’ në tre e tridhjetë”.
U dëgjua një tingull dhe Kugelmesi u kthye në Bruklin.
“Pra, a gënjeva?”, pyeti Përski si fitimtar.
“Dëgjo Përski, tash jam vonë për ta takuar një person të mërzitshëm në Avenynë Leksington, por kur mund të shkoj sërish? Nesër”?
“Me kënaqësi, veç silli 20 dollarë. Dhe mos ia përmend këtë dikujt”.
“Po, e kam ndërmend ta thërras Rupert Mërdokun[13]”.
Kugelmesi thirri taksinë dhe mësyu qytetin. Zemra e tij po dridhej. Jam i dashuruar, mendoi ai. Jam zotëruesi i një sekreti të mrekullueshëm. Ajo që ai nuk e kuptonte ishte se në këtë çast nxënësit në klasa të ndryshme në mbarë vendin po u thoshin mësuesve: “Kush është ky karakter në faqen 100? Një çifut tullac po e puth Zonjën Bovari”? Një mësues në Sjy Falls të Dakotës së Jugut, psherëtiu dhe mendoi: “O Zot, këta fëmijë me marijuanë dhe LSD. Çfarë nuk sillet në mendjet e tyre”.
Dafne Kugelmes ishte në Departamentin e Pajisjeve të Banjave në “Blumingdejls” kur Kugelmesi mbërriti pothuajse pa frymë.
“Ku ke qenë?”, reagoi ajo. “Është katër e tridhjetë”.
“U bllokova në trafik”, tha Kugelmesi.
Kugelmesi shkoi te Përski të nesërmen dhe për pak minuta kaloi si me magji në Jonvil. Ema nuk mund ta fshihte eksitimin e saj teksa e shihte. Të dy kaluan orë të tëra së bashku, duke qeshur dhe duke folur për prejardhjet e tyre të ndryshme. Para se Kugelmesi të largohej, çuan dashuri. “O Zot, po e bëj me Zonjën Bovari!”, i tha Kugelmesi vetes. “Unë, që rashë në vitin e parë në letërsi”.
Me kalimin e muajve Kugelmesi e takoi Përskin shumë herë dhe e zhvilloi një marrëdhënie të ngushtë e pasionuese me Zonjën Bovari. “Sigurohu që gjithmonë do të më çosh në libër para faqes 120”, Kugelmesi i tha një ditë magjistarit. “Gjithmonë duhet ta takoj para se ajo të lidhet me atë karakterin Rodolf”.
“Pse?”, pyeti Përski. “Nuk mund ta mundësh?”
“Ta mundi?! Ai është aristokrat. Ata tipa nuk kanë gjë më të mençur për të bërë veçse të flirtojnë e të kalërojnë. Për mua ai është një nga ato fytyrat që i shihni në revistën ‘Veshja ditore e gruas’[14]. Me stilin e flokëve të Helmut Bergerit.[15] Por, për të ai është tërheqës”.
“Dhe burri i saj nuk dyshon asgjë”?
“Është i papërgatitur. Është mjek kot i ndihmës së shpejtë që u lidhë me dikë që e do vallëzimin e zjarrtë. Është gati të shkojë në gjumë në dhjetë, kur ajo i mbath këpucët e saj të kërcimit. Oh, mirë… Shihemi më vonë”.
Dhe përsëri Kugelmesi hyri në orman e kaloi menjëherë në pronën Bovari në Jonvil.
“Si po ia kalon, sheqerka ime?”, e pyeti Emën.
“Oh, Kugelmes!”, psherëtiu Ema. “Çfarë më ka gjetur. Natën e kaluar, në darkë, z. Personaliteti ra për të fjetur në mes të vaktit për ëmbëlsirë. Po e hapja zemrën të flisja për ‘Maksimin’[16] dhe për baletin, kur papritmas i dëgjoj gërhitjet”.
“Gjithçka në rregull zemër, tash jam këtu”, tha Kugelmesi duke e përqafuar. E kam merituar këtë, mendoi ai, duke e nuhatur parfumin francez të Emës e duke futur hundët te flokët e saj. Mjaft kam vuajtur. Boll i kam paguar psikologët. Kam kërkuar derisa jam lodhur. Ajo është e re dhe tërheqëse e unë jam këtu disa faqe pas Leonit dhe pak para Rodolfit. Duke u shfaqur në kapitujt e duhur, e kam situatën në dorë.
Ema, ç’është e vërteta, ishte po aq e lumtur sa edhe Kugelmesi. Ajo po vuante për eksitim, dhe tregimet e tij për jetën e natës në Broaduej, për makinat e shpejta dhe yjet e Hollivudit e të televizionit, e magjepsën bukuroshen e re franceze.
“Më fol sërish për O-Xhej Simpsonin[17]”, e përgjëronte atë mbrëmje teksa ajo dhe Kugelmesi kaluan pranë kishës Abe Bournizhen.
“Çfarë të të them? Tipi është i shkëlqyeshëm. I thyen të gjitha rekordet e fushave të kaluara. Çfarë lëvizjesh. Nuk mund ta kapin”.
“E çmimet Oskar[18]?”, foli Ema me shumë dëshirë. “Do të jepja gjithçka ta fitoja një”.
“Së pari duhet të nominohesh”.
“E di, ma shpjegove. Por jam e bindur se mund të aktroj. Natyrisht, do të merrja një apo dy kurse. Ndoshta me Strasbergun.[19] E pastaj, sikur ta kisha menaxherin e duhur”.
“Shohim e bëjmë. Do të flas me Përskin”.
Atë natë, teksa u kthye për së mbari te banesa e Përskit, Kugelmesi e shtroi idenë që Ema ta vizitonte në qytetin e madh.
“Më lerë ta mendoj”, tha Përski. “Ndoshta mund ta bëj këtë. Gjëra më të çuditshme kanë ndodhur”. Sigurisht, asnjëri prej tyre nuk mund ta përmendte një.
“Ku dreqin po shkon gjatë tërë kohës?”, i bërtiti Dafne Kugelmes burrit të saj kur u kthye vonë atë mbrëmje në shtëpi. “Mos po fshihesh me ndonjë lavire”?
“Po si jo, i tillë jam unë”, tha Kugelmesi i lodhur. “Isha me Leonard Popkinin. Po diskutonim për bujqësinë socialiste në Poloni. E njeh Popkinin. Ai është i çmendur për këtë temë”.
“Epo, je shumë i çuditshëm kohët e fundit”, tha Dafne. “I distancuar. Mos harro të shtunën për ditëlindjen e babait tim”?
“Natyrisht, natyrisht”, tha Kugelmesi teksa shkonte në banjë.
“E gjithë familja ime do të jetë aty. Mund t’i shohim binjakët. Dhe kushëririn Hamish. Duhet të jesh më i sjellshëm me kushëririn Hamish, se ai të do”.
“Në rregull, binjakët”, tha Kugelmesi duke mbyllur derën e banjës dhe duke denfuar zërin e gruas së tij. U përkul dhe mori frymë thellë. Për disa orë, i tha vetes, do të kthehet sërish në Jonvil, përsëri me të dashurën e tij. Dhe, këtë herë, nëse gjithçka do të shkonte mirë, do ta merrte Emën me vete.
Në tre e pesëmbëdhjetë të pasdites tjetër, Përski e bëri përsëri magjinë e tij. Kugelmesi u shfaq para Emës, i qeshur dhe i paduruar. Të dy kaluan disa orë në Jonvil me Binetin dhe më pas hipën sërish në karrocën e familjes Bovari. Duke ndjekur udhëzimet e Përskit, ata e mbanin njëri-tjetrin fort, i mbyllën sytë dhe numëruan deri në dhjetë. Kur i hapën sytë, karroca ishte në derën anësore të hotelit ‘Plaza’ ku Kugelmesi kishte rezervuar një suitë herët gjatë ditës.
“Më pëlqen. Është gjithçka që ëndërrova se si do të jetë”, tha Ema teksa sillej e lumtur përreth dhomës së gjumit e duke parë nga dritarja. “Aty është FAO Shvarc[20], aty Parku Qendror, e ‘Sheri’[21] cili është? Oh, ja atje, e shoh. Është magjepsës”.
Në shtrat ishin kutitë nga Halstoni dhe San Luroni.[22] Ema e hapi një paketë dhe mbante një palë pantallona kadifeje të zezë për trupin e saj të përsosur.
“Kostumi është bërë nga Ralf Loreni[23]”, tha Kugelmesi. “Do të dukesh si me një milion dollarë në të. Eja sheqerkë ma jep një puthje”.
“Kurrë nuk kam qenë kaq e lumtur”. Ema u habit kur doli para pasqyrës. “Të dalim e të kënaqemi. Dua ta shoh ‘Linjën e korit’[24] dhe ‘Gugenhamin’[25] dhe këtë karakterin Xhek Nikolson[26] për të cilin flet gjithmonë. A jepet ndonjë film i tij”?
“Nuk po e kuptoj këtë”, tha një profesor i Universitetit të Stenfordit. “Së pari një karakter i çuditshëm i quajtur Kugelmes dhe tash ajo largohet nga libri. Epo, mendoj se ajo që e karakterizon një vepër klasike është se mund ta rilexoni një mijë herë dhe gjithmonë të gjeni diçka të re në të”.
Të dashuruarit kaluan një fundjavë të lumtur. Kugelmesi i kishte thënë Dafnes se do të ishte larg në një simpozium në Boston dhe se do të kthehej të hënën. Duke e shijuar çdo çast, ai dhe Ema shkuan në kinema, kishin ngrënë darkë në Kuartin Kinez, i kalojnë dy orë në një diskotekë dhe ranë në shtrat me një film televiziv. Flenë deri të dielën në mesditë, vizituan Sohon[27] dhe ia ngulnin sytë të famshmëve në “Ellejns”.[28] Ata të dielën kishin ngrënë haviar dhe kishin pirë shampanjë, në suitën e tyre, dhe folën deri në agim. Atë mëngjes, në taksinë që i çonte drejt apartamentit të Përskit, Kugelmesi tha se gjithçka ishte me nguti e huti, porse ia vlente. Nuk mund ta sjell këtu shumë shpesh, por tash e tutje do të jetë një kontrast simpatik me Jonvilin.
Te Përski, Ema hipi në orman, rregulloi me kujdes përreth saj disa nga kutitë e rrobave dhe e puthi marrëzisht Kugelmesin. “Vendi im për herën tjetër”, tha ajo duke bërë me sy teksa Përski tri herë goditi ormanin. Asgjë nuk ndodhte.
“Hm”, tha Përski duke kruar kokën. Goditi sërish, por nuk ka magji. “Diçka duhet të jetë ngatërruar”, pëshpëriti.
“Përski, a po bën hajgare a!?”, bërtiti Kugelmesi. “Si nuk punon”?
“Qetësohu, qetësohu. A je ende brenda, Ema”?
“Po”.
Përski trokiti prapë, këtë herë më fort.
“Jam ende këtu, Përski”.
“E di e dashur. Rri e mos lëviz”.
“Përski, duhet ta kthejmë”, pëshpëriste Kugelmesi. “Jam burrë i martuar dhe kam mësim për tri orë. Nuk jam i përgatitur për asgjë më shumë në këtë fazë sesa një aferë e kujdesshme”.
“E kuptoj këtë”, murmuriti Përski. “Është një gabim i vogël”.
Por ai nuk mund të bënte gjë. “Do të duhet pak kohë”, i tha Kugelmesit. “Më duhet ta çmontoj. Të thërras më vonë”.
Kugelmesi e merr Emën në taksi dhe e dërgon përsëri te “Plaza”. Mezi shkoi në ligjërata në kohën e duhur. Ishte gjatë tërë ditës në telefon, me Përskin dhe me dashnoren e tij. Magjistari i tha se do të duhen disa ditë para se të merrnin fund telashet.
“Si ishte simpoziumi?”, e pyeti Dafne atë natë.
“Mirë, mirë”, tha ai, duke e ndezur fundin e filtrit të cigares.
“Çfarë po shkon keq? Je i tensionuar si një mace”.
“Mua? Ha, ha, ha… po kjo është për të qeshur. Jam aq i qetë si një natë verore. Veç po dal të ec pak”. Doli ngadalë, thirri një taksi dhe drejt e te “Plaza”.
“Kjo nuk është gjë e mirë”, tha Ema. “Çarlsi do ta vërejë mungesën time”.
“Duro me mua, sheqerkë”, tha Kugelmesi. Ai ishte i zbehtë dhe i djersitur. E puthi përsëri, shkoi drejt te ashensori, i bërtiti Përskit përmes një kabine telefoni në hollin e “Plazës” dhe shkoi në shtëpi para mesnatës.
“Sipas Popkinit, çmimet e elbit në Krakov nuk kanë qenë të qëndrueshme që nga viti 1971”, i tha ai Dafnes, me një buzëqeshje të lodhtë teksa hipi në shtrat.
E gjithë java kaloi kështu.
Të premten mbrëma Kugelmesi i tha Dafnes se kishte një tjetër simpozium që duhej ta vizitonte, atë në Sirakuzë. Nxitoi të kthehej në “Plaza”, por fundjava e dytë nuk ishte si e para. “Më kthe në roman ose martohu me mua”, i tha Ema, Kugelmesit. “Ndërkohë dua ta gjej një punë ose të marr ndonjë kurs sepse është e tmerrshme me pa tërë ditën televizor”.
“Mirë, mund të na duhen paratë”, tha Kugelmesi. “E konsumon dyfishin e peshës tënde përmes shërbimit të dhomës”.
“E takova dje një producent të skenës së vogël të Broduejit, në Parkun Qendror, dhe ai tha se mund të jem e duhura për një projekt që po e bën”, tha Ema.
“Kush është ai palaço?”, pyeti Kugelmesi.
“Ai nuk është palaço. Është i ndjeshëm dhe i sjellshëm dhe simpatik. Emri i tij është Xhef apo ashtu diçka, dhe po garon për çmimin Toni[29]”.
Më vonë atë pasdite, Kugelmesi doli i dehur para Përskit.
“Qetësohu”, i tha Përski. “Do të marrësh sulm në zemër”.
“Qetësohu! Tipi më thotë qetësohu. Unë e kam një karakter imagjinar të fshehur në një dhomë hoteli dhe mendoj se bashkëshortja po më përndjek me detektiv privat”.
“Në rregull, në rregull. E dimë se ka një problem”. Përski zvarritet nën orman dhe nis të godasë fuqishëm mbi diçka.
“Jam si një kafshë e egër”, vazhdoi Kugelmesi. “Po vërtitem rreth qytetit dhe Ema e unë nuk po durohemi më me njëri-tjetrin, për të mos përmendur atë çmimore hoteli që është sa buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes”.
“Pra, çfarë duhet të bëj? Kjo është bota e magjisë”, tha Përski. “Gjithçka është nuancë”.
“Hamamin nuancë. Po derdh Dom Perinjon[30] dhe vezë të zeza tek ajo miushe e vogël, plus veshjet e saj, plus që është regjistruar në kursin e aktrimit[31] dhe papritmas ka nevojë për fotografi profesionale. Po ashtu, Përski, profesori Fivish Kopkind që ligjëron Letërsinë e Krahasuar e që ka qenë gjithmonë xheloz në mua, më ka identifikuar si karakter që shfaqet kohë pas kohe në librin e Flobertit. Më ka kërcënuar se do të shkojë te Dafne. Po shoh se si shkatërrohet alimentacioni, se si vjen burgu. Për kurorëshkelje me Zonjën Bovari, gruaja ime do të më shndërrojë në lypës”.
“Çfarë do të të them? Jam duke punuar ditë e natë në këtë. Sa i përket ankthit tënd personal, me këtë nuk mund të të ndihmoj. Unë jam magjistar, jo psikolog”.
Të dielën pasdite Ema ishte mbyllur në banjë dhe nuk pranonte t’u përgjigjej lutjeve të Kugelmesit. Kugelmesi e shikonte nga dritarja sheshin e patinazhit[32] dhe mendonte për vetëvrasjen. Shumë keq që është kat i ulët, mendoi ai, se do ta bëja qysh tash. Mbase të iki në Evropë e ta nis jetën prej fillimit… Ndoshta mund të shes gazetë ditore[33], ashtu siç bënin vajzat e reja.
Telefoni cingëronte. Kugelmesi e vuri mekanikisht te veshi.
“Merre me vete”, tha Përski. “Mendoj se e zgjidha problemin”.
Zemra e Kugelmesit u dridh. “A e ke seriozisht?”, tha ai. “A e rregullove”?
“Ishte diçka në transmetim. A mund ta besosh”?
“Përki, je gjeni. Do të jemi atje për një minutë. Më pak se një minutë”.
Përsëri të dashuruarit nxituan te banesa e magjistarit dhe përsëri Ema Bovari u ngjit në orman me kutitë e veta. Këtë herë nuk kishte puthje. Përski mbylli dyert, mori frymë thellë dhe trokiti tri herë. Nuk ishte ajo zhurma e sigurisë, por kur Përski shikoi brenda, hapësira ishte bosh. Zonja Bovari ishte kthyer në romanin e saj. Kugelmesi e lëshoi një psherëtimë të madhe lehtësimi dhe e kapi dorën e magjistarit.
“Mbaroi”, tha ai. “E kuptova mësimin. Nuk do të tradhtoj më, betohem”.
E shkundi sërish dorën e Përskit dhe me vete tha se duhet të kujtohet t’ia dërgojë një kravatë.
Tri javë më vonë, në fund të një pasditeje të bukur pranverore, Përski iu përgjigj ziles së derës. Ishte Kugelmesi, me një pamje delikate në fytyrë.
“Në rregull Kugelmes”, tha magjistari. “Për ku tani”?
“Vetëm këtë herë”, tha Kugelmesi. “Moti është kaq i bukur dhe nuk po bëhem më i ri. Dëgjo, a e ke lexuar ‘Ankesën e Portnoit’[34]? Të kujtohet Majmunia[35]”?
“Çmimi tash është 25 dollarë, sepse kostoja e jetesës është rritur, por unë po ia nisi me një falas për shkak të telasheve që t’i kam sjell”.
“Je njeri i mirë”, tha Kugelmesi, duke i krehur flokët e tij të pakta teksa po hynte në orman. “A do të funksionojë kjo si duhet”?
“Shpresoj, por s’e kam provuar shumë që nga ai problem”.
“Seksi dhe romanca”, tha Kugelmesi nga brenda. “Çfarë jemi në gjendje të bëjmë për një fytyrë të bukur”.
Përski hodhi një kopje të “Ankesës së Portnoit” dhe trokiti tri herë në orman. Këtë herë, në vend të një zhurme të çuditshme, ndodhi një shpërthim i shurdhët, i pasuar me një seri zhurmash kërcitëse dhe një mori shkëndijash. Përski u përmbys, u kaplua nga një sulm në zemër dhe u rrëzua. Ormani u përfshi nga flakët dhe e tërë banesa u dogj.
Kugelmesi, i pavetëdijshëm për këtë katastrofë, i kishte problemet e veta. Për këtë arsye nuk ishte futur në “Ankesën e Portnoit”, apo në ndonjë roman tjetër. Ishte projektuar në një libër të vjetër, “Spanjishtja për personat e ngathtë”, dhe po vraponte për ta shpëtuar kokën në një terren shterpë shkëmbor, meqë fjala tener (“të kesh”) – një folje e madhe e parregullt – po e ndiqte me këmbët e saj të holla. /Revista “Akademia”/Telegrafi/