Barcelona mund ta lejojë huazimin dyvjeçar të Miralem Pjanicit te Juventusi, nëse ai pranon zvogëlim të pagës – bën të ditur gazeta spanjolle, Sport.
Mirëpo, për të ndodhur kjo, duhet që fillimisht Aaron Ramsey të shitet apo të huazohet te ndonjë klub tjetër.
Mesfushori boshnjak u largua nga Zonja e Vjetër në verën e kaluar si pjesë e një marrëveshjeje shkëmbimi me Arthur Melon.
Mirëpo, ai nuk bën pjesë në planet e trajnerit Ronald Koeman, në ndërkohë trajneri i kthyer te Juventusit, Massimiliano Allegri, ka shprehur interesim që ta ketë sërish nën urdhrat e veta
Pjanic është i gatshëm të heqë dorë nga një pjesë e pagës së tij për t’u kthyer në Torino dhe po ashtu, Barca mund ta lejojë në formë huazimi te klubi italian, me kusht që Juve t’ia paguajë rrogën.
Megjithatë, për të ndodhur kjo, Juventusi duhet ta largojë (shesë apo huazojë) Ramseyn, të cilin e kishte transferuar si lojtar të lirë nga Arsenali.
Klubet e Ligës Premier, Tottenham Hotspur dhe Wolverhampton Wanderers, kanë shprehur interesim për ta kthyer uellsianin në Angli. /Telegrafi/