Site icon Telegrafi

Kryetari Totaj pret ambasadorin e Australisë, diskutohet bashkëpunimi i ndërsjellë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të enjten, ka pritur ambasadorin e Australisë në Kroaci, i cili shërben si ambasador jo-rezident në Kosovë, Richard Mason Rodgers. Në takim, është diskutuar për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, kryetari Totaj ka njoftuar diplomatin austrialian me vlerat e qytetit, “që jeton në bashkësi multi kulturore në harmoni dhe është mikpritës gjatë tërë vitit, sidomos gjatë sezonit veror, ku zhvillohen shumë festivale, që e bëjnë qëndrimin në Prizren sa të këndshëm, aq interesant”.

“Gjatë bisedës, ambasadori Rodgers shprehu interesimin për gjetjen e mënyrave të bashkëpunimit me Komunën e Prizrenit, veçanërisht në sport e kulturë, si fusha që kanë gjuhë universale dhe bashkojnë njerëzit”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Ndërkaq Totaj ka vlerësuar kontributin e deritanishëm të Australisë.

“Falënderoj shtetin australian për mbështetjen ndaj Kosovës, në etapat më të rëndësishme të ndërtimit të shtetit tonë”, është shprehur Totaj. /Telegrafi/

Exit mobile version