Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka takuar të enjten shefen e UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko, dhe ekipin e saj, të cilët në bashkëpunim me OJQ-në “THY” dhe me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), po organizojnë punëtorinë treditore “Podium”.
Në këtë aktivitet, po marrin pjesë 75 të rinj nga Komuna e Prizrenit, përfshirë një numër të konsiderueshëm nga komunitetet jo shumicë dhe persona me aftësi të kufizuara, raporton Telegrafi.
Gjatë ceremonisë së hapjes së punëtorisë, në ITP Prizren, kryetari Totaj ka vlerësuar rëndësinë e kësaj nisme për fuqizimin e të rinjve dhe nxitjen e angazhimit të tyre në çështje që prekin komunitetin.
“Komuna e Prizrenit mbetet e përkushtuar për krijimin e klimës adekuate për zhvillimin e të rinjve tanë, pa dallim”, ka deklaruar Totaj.
Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, nga 15 grupet pjesëmarrëse në punëtori, 12 prej tyre do të përfitojnë mbështetje financiare prej 500 eurosh për të realizuar fushata që adresojnë problemet e identifikuara në komunitetet e tyre. /Telegrafi/