Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ditë më parë ka dorëzuar në KQZ kërkesën për organizimin e një referendumi konsultativ për reformën në arsim.
Mirëpo, në mbledhjen që ka mbajtur të martën KQZ-ja, kërkesa e Kastratit nuk është shqyrtuar fare.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se kjo çështje nuk është dashtë me u diskutuar fare ngase sipas saj ky institucion nuk është fare kompetent për çështje të tilla.
“Nuk është dashtë fare më u vendos në rend dite sepse ne nuk kemi fare kompetenca të tilla”, deklaroi Daka.
Por pavarësisht kësaj deklarate të bërë në mbledhje nga ana e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, kryetari i Kamenicës ende nuk ka marrë përgjigje zyrtare për kërkesën e tij nga ky institucion.
Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, vetë kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.
“Jo ende s’kemi marr përgjigje”, ka thënë shkurt Kastrati.
Ndryshe ditë më parë, Kastrati përmes një postimi në Facebook kishte shkruar se duke pas parasysh gjendjen e arsimit në Kamenicë, e rëndësishme, sipas tij, është përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje rreth reformës.
“Arsimi është një nga problemet akute dhe prioriteti më i lartë në Kamenicë. Prandaj e konsideroj të domosdoshme që qytetari i komunës sonë të përfshihet drejtpërdrejt në vendimmarrje rreth reformës të cilën duam ta ndërmarrim”, kishte thënë Kastrati, në një postim në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/