Site icon Telegrafi

Kryeshefi i Ibër-Lepencit, Mujka: Uji në Mitrovicë, Prishtinë dhe Vushtrri të shfrytëzohet racionalisht sipas orarit të caktuar

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Ibër-Lepenci, Faruk Mujka, ka thënë se për momentin ka disa probleme me furnizimin e ujësjellësve regjional, sepse uji duhet të ndahet racionalisht.

Mujka tha se Mitrovica, Prishtina dhe Vushtrria duhet ta shfrytëzojnë ujin në mënyrë racionale, transmeton Telegrafi.

“Për momentin kemi probleme me furnizimin e ujësjellësve regjional. Ujin po duhet me nda racionalisht, duhet të kemi bashkëpunim me ujësjellësit regjional në këtë rast me Mitrovicë, Prishtinë, Vushtrri dhe ta shfrytëzojmë racionalisht sipas orarit.. Unë besoj që jemi shumë të kënaqur me intervenimin tonë, me një organizim dhe mobilizim të shpejtë të cilët me siguri ata që e kanë bërë këtë akt terrorist nuk e kanë pritur”, ka thënë para mediave drejtori i ndërmarrjes hidroekonomike “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka.

Të premten është sulmuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit “Ibër Lepenci” në Zubin Potok, ku janë shkaktuar dëme serioze.

Policia po vazhdon me operacionin e tyre për të identifikuar autorët e këtij sulmi, aksioni po zhvillohet në disa lokacione në veri./Telegrafi/

 

Exit mobile version