Kryeministrit i shtetit të vogël në Karaibe, Saint Vincent dhe Grenadini, Ralph Gonsalves, është lënduar gjatë protestave në qytetin Kingstown, ku më pas është dërguar me urgjencë në spitalin e Barbadosit.
Protestat shpërthyen pas disa amendamenteve në ligjin që parasheh vaksinimin e detyrueshëm kundër COVID-19, për punonjësit shëndetësorë, transmeton Telegrafi.
Gonzalves është goditur me mjete të forta në kokë derisa po dilte nga vetura dhe po tentonte që përmes turmës që kishte bllokuar ndërtesën e parlamentit, të futet brenda.
E pavarësisht që kishte gjakderdhje të mëdha, mjekët kanë njoftuar se ai për pak ditë do ta rimerr plotësisht veten.
Në anën tjetër, ministri i Financave, ka njoftuar parlamentin që kryeministri është dërguar në Barbados, ku do t’i bëhet edhe një rezonancë magnetike për të mësuar më shumë për gjendjen e tij shëndetësore.
Sulmin mbi kryeministrin e kanë dënuar anëtarët e qeverisë por edhe partitë opozitare. Mediat lokale raportojnë duke u thirrur në senatorin Julian Francis, se një grua e paidentifikuar është arrestuar – duke mos dhënë detaje tjera.
Protestat i kanë organizuar sindikatat e infermierëve, policisë dhe punonjësve tjerë që janë kundër vaksinimit. Gonzalves më herët kishte thënë se vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm. /Telegrafi/