Kryeministri i Japonisë do të vizitojë Kievin për të takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Japonisë.
Fumio Kishida u pa duke hipur në një tren në kufirin polak sot në një transmetim të NHK, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Ai do të shprehë mbështetjen për Ukrainën dhe do të tregojë “respektin e tij për guximin dhe këmbënguljen e popullit ukrainas që ngrihet për të mbrojtur atdheun e tij”, tha ministria e jashtme.
Vizita e befasishme e kryeministrit mund të shihet si një ofensivë diplomatike ndaj rivalit, presidentit kinez Xi Jinping, i cili mbërriti dje në Moskë.
Vizita e tij pason takimet me kryeministrin indian Narendra Modi.
Kishida do të zhvillojë gjithashtu bisedime me homologun e tij polak përpara se të kthehet në Japoni të enjten.
Japonia është anëtare e Grupit të Shtatë vendeve dhe është vendosur të presë samitin e G7 në maj. /Telegrafi/