Telegrafi

Kryebashkiaku i Vlorës: Plazhet janë plot, po lansohen reklama negative

Para disa ditësh, kryeministri shqiptar Edi Rama ka kërkuar nga kryebashkiakët e Sarandës dhe Vlorës që të angazhohen me operatorët turistikë për të parandaluar rritjen e madhe të çmimeve, me qëllim që të mos dëmtohet turizmi në vitet e ardhshme.

Në lidhje me këtë, kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, ka theksuar rëndësinë e mbajtjes së çmimeve në kontroll për të garantuar një turizëm të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm.

Sipas tij, Vlorën e shohin si një destinacion turistik vjetor dhe jo vetëm sezonal.

“Po të shikon shezllonet në Vlorë janë plot. Nuk është se ka problem mbushja e shezlloneve, por duhet të jemi kujdes të çmimet… ne duhet ta shikojmë një biznes afatgjatë, biznes gjithë vjetor duhet të jetë turizmi, janë plotësuar të gjithë komponentët që janë plotësuar edhe nga Qeveria… Plazhet janë plot edhe hotelet”, ka thënë Dredha në një linje direkte në “Debat Plus”.

Dredha po ashtu komentoi mbi sulmet e organizuara kundër turizmit shqiptar, duke vënë në dukje shpërndarjen e lajmeve të rreme në rrjetet sociale nga platforma të caktuara, të cilat, sipas tij, mund të jenë të ndikuara nga konkurrentët e huaj.

Ai theksoi se Shqipëria është një konkurrente e denjë në Mesdhe dhe se këto sulme janë tendencioze.

“Ne e kemi vënë re edhe në rrjetet sociale, na vjen keq, sepse ka faqe të caktuar edhe brenda vendit që kanë lansuar këtë lloj reklame negative. Po ashtu besoj dhe mendoj që mund të jenë edhe konkurrente që janë andej kufijve tanë. Është normale, kur shikon një Shqipëri që është duke e rritur ndejshëm numrin e turistëve që frekuentojnë vendin tonë. Nuk na vjen mirë që mundohen të hedhin baltë mbi diçka që ne jemi krenarë… Jemi të denjë për të qenë konkurrente më të gjithë pjesën të tjetër të gjithë Mesdheut. Duket si tendencioze”, ka shtuar Dredha. /Dukagjini/