Rade Krunic është duke u përpjekur që të rikuperohet në kohë për t’u përballur me Juventusin, ndërsa duke biseduar për një kontratë të re me Milanin, ai ka kërkuar dyfishimin e pagës.
Mesfushori ka qenë jashtë fushës që prej 24 shtatorit me një problem muskulor dhe po kërkon të rikthehet për përballjen në Serie A me Juventusin më 22 tetor.
Sipas La Gazzetta dello Sport, Krunic është gati të rimarrë vendin e tij në mesfushë, i zënë nga Yacine Adli pas një muaji jashtë dhe të përgatitet për ndeshjet e ardhshme me Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve dhe kampionët në fuqi të Serie A, Napoli.
Ka disa çështje në prapaskenë për t’u zgjidhur gjithashtu, sepse ai ishte në prag të largimit në verë, por Milani nuk u pajtua me ofertën e Fenerbahces.
Krunic sapo mbushi 30 vjeç javën e kaluar dhe kontrata e tij aktuale në “San Siro” zgjat deri në qershor 2025, pasi kishte nënshkruar një kontratë të re vetëm një vit më parë.
Paga e tij aktuale është rreth 1.5 milionë euro në sezon, por raporti sugjeron se lojtari i Bosnje dhe Hercegovinës dëshiron të dyfishojë pagën e tij.
Oferta nga Milani është diku afër 2.5 milionë euro për sezon duke përfshirë bonuset.
Mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët apo kjo situatë do të sjell deri në një ‘tensionim’ të raporteve./Telegrafi/