Site icon Telegrafi

KRU “Hidrodrini” bën thirrje për kujdes ndaj instalimeve të ujit për shkak të temperaturave të ulëta

Me fillimin e stinës së dimrit dhe rënien e ndjeshme të temperaturave, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka apeluar qytetarët për kujdes të shtuar në mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e instalimeve të ujit.

KRU “Hidrodrini”, përmes një postimi në Facebook, ka bërë thirrje për izolimin dhe mbrojtjen e ujëmatësve për të shmangur ngrirjen.

“Të nderuar konsumatorë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Hidrodrini’, tani kur ndodhemi në stinën e dimrit dhe temperaturat kanë shënuar rënie, jeni të lutur që paraprakisht të keni kujdes të shtuar në mirëmbajtjen e ujëmatësve. Tubacionet/instalimet brenda pronës tuaj përfshirë këtu edhe ujëmatësit mund të ngrihen nga fillimi i motit me temperatura të ulëta, nëse ata janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj kushteve të motit”, kanë shkruar ata.

Qytetarët janë këshilluar të izolojnë ujëmatësit dhe tubat në pusetat, garazhet, bodrumet dhe në muret e jashtme të paizoluara, për të parandaluar ndonjë dëmtim.

KRU “Hidrodrini” ka rikujtuar konsumatorët se janë përgjegjës për mbrojtjen e ujëmatësve dhe tubacioneve të ujit në pronat e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version