Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj, gjatë viteve të fundit sipas raporteve ka treguar përformancë të lartë në realizim të shërbimeve ndaj qytetarëve, derisa ne kohë reale po pastrohen kontejnerët dhe deponitë e mbeturinave.
Së fundi ky institucion që drejtohet nga Basri Syla, ka lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për ta pastruar edhe Brezovicën derisa aty janë krijuar deponi të mbeturinave shkaku i mos pastrimit të kontejnerëve.
Ky institucion edhe në të kaluarën i ka dalë në ndihmë qyteteve të tjera dhe kompanive të mbeturinave, pasi që posedon makineri profesionale.
Telegrafi ka kontaktuar me drejtorin Syla pasi që ka pranuar fotografi nga qytetarët se në Brezovicë po pastrohen depozitë e mbeturinave nga KRM “Pastërtia”.
“Është e vërtetë se ekipet tona janë duke i pastruar ato mbeturina në Brezovicë pasi që kemi arritur një marrëveshje me MMPHI-në që t’i dalim në ndihmë asaj pjese deri më 31 maj të 2025-s. Mbeturinat do të pastrohen dy herë gjatë javës, andaj ne si kompani e kemi parë të arsyeshme ta zgjerojmë këtë shërbim edhe në Brezovicë me qëllim që mos të krijohen deponi të mbeturinave dhe mos të ndotet ambienti. Ne do t’i përkrahim edhe bizneset në atë zonë me shërbime cilësore”, ka thënë Syla.