Barcelona momentalisht nuk është në gjendje që të regjistrojë nëntë lojtarë të ekipit të parë për të luajtur sezonin e ardhshëm, për shkak të krizës së vazhdueshme financiare.
Barcelona ka qenë në trazira financiare tash e disa vite, dhe në sezonet e fundit kanë gjetur mënyra të ndryshme për të rritur fondet dhe për të regjistruar blerjet e reja pa tejkaluar limitin e pagave të La Ligas.
Klubi blaugranas aktivizoi disa “leva ekonomike” në verën e vitit 2022 dhe 2023, duke përfshirë shitjen e të drejtave të Barca Studio, një kompani produksioni.
Sidoqoftë, kufiri i pagave tek Barcelona ka rënë sërish para sezonit të ardhshëm, ani pse kishte rënë nga 558 milionë në 232 milionë në fillim të sezonit të kaluar.
Sipas The Athletic, Barcelona duhet të gjejë rreth 130 milionë euro para datës 30 qershor ose do të ballafaqohen me vështirësi për të regjistruar blerjet e reja në ekipin e Hansi Flick për shkak të limitit të pagave në sezonin 2023/2024.
Siç qëndrojnë gjërat, nëntë nga 25 lojtarët e ekipit që kanë luajtur në La Liga për Barcelonën në sezonin 2023/2024, nuk mund të regjistrohen për sezonin e parë të Hansi Flick në krye.
Sergi Roberto dhe Marcos Alonso do të jenë pa kontrata më datë 30 qershor, ndërsa marrëveshjet e huazimit për Joao Cancelon dhe Joao Felix do të skadojnë në të njëjtën ditë.
Kjo datë gjithashtu do të bëjë që Inigo Martinez dhe Vitor Roque të mbesin “të paregjistruar” në La Liga për shkak të mënyrës se si ata të dy u bënë pjesë e ekipit për sezonin e kaluar.
Produktet e La Masias si Alejandro Balde, Lamine Yamal, Pau Cubarsi dhe Hector Fort që të gjithëve duhet t’u pranohen kontratat nga La Liga.
Barcelona momentalisht është e përfshirë në një betejë ligjore me ligën lidhur me statusin e Gavit.
Nëse të gjithë këta lojtarë do të ri-nënshkruhen sërish nga Barcelona, atëherë pagat e të gjithë prej tyre do të llogariten në kufirin e ri të pagave./Telegrafi/