Site icon Telegrafi

Kriza që ka kapluar Chelsean, 10 futbollistë të ekipit të parë të lënduar

Chelsea ka zhvilluar 17 ndeshje këtë edicion në elitën e futbollit anglez Ligën Premier dhe po e sheh vetën në pozitën e 10-të në tabelë me vetëm 25 pikë nga 51 të mundshme.

Ka kaluar kohë e gjatë kur Chelsea është gjendur në një pozitë të tillë dhe kjo ka ardhur edhe për shkak të lëndimeve të shumta që kanë përjetuar londinezët këtë edicion.

Në ndeshjen e fundit kundër Manchester Cityt, trajneri Graham Potter u detyrua të bëj dy zëvendësime shkaku i lëndimeve në pjesën e parë, kur Raheem Sterling lëshoi fushën pas katër minutave dhe Christian Pulisic 18 minuta më vonë.

Portieri Eduard Mendy mbetet jashtë fushave, derisa të lënduar janë edhe mbrojtësit Reece James, Wesley Fofana dhe Ben Chilwell.

Më e rëndë është gjendja në mesfushë, pasi N’Golo Kante, Mason Mount dhe Ruben Loftus-Cheek gjithashtu janë të lënduar.

Ndërkohë me lëndimin e dyshes Sterling-Pulisic ka shkuar në tre edhe numri i sulmuesve të lënduar, pasi mungon edhe shqiptari Armando Broja.

E duke parë mungesën e lojtarëve kryesorë të ekipit dhe rezultatet e dobëta, presioni mbi trajnerin Graham Potter vetëm po rritet.

Që nga 16 tetori kur anglezi mori drejtimin e Chelseat pas largimit të Thomas Tuchel, ai ka marrë vetëm gjashtë pikë nga 24 të mundshme. /Telegrafi/

Exit mobile version