Site icon Telegrafi

Kritikat ndaj Kurtit për dialogun me Serbinë, Statovci: Duhet të kërkohet përgjegjësi dhe balancim nga pala serbe

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga lista “Guxo”, Jeta Statovci thotë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë më i balancuar dhe se pala kosovare ka respektuar gjithmonë marrëveshjet e arrituara në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.

Statovci në emisionin “Përballje” thotë se dialogu si akt në vete drejt normalizimit të raporteve është mbështetur.

“Çështja është se për gjatë këtyre viteve të procesit ne duhet të jemi të kujdesshëm, në atë se çka kemi pranuar si akt fillestar, e cila ka qenë propozimi në mes të Francës dhe Gjermanisë, që ka qenë plani franko-gjerman dhe akterëve tjerë politik, mendoj se kanë trajtuar atë se çka ka qenë problematika jonë. Dhe këtu ka trajtuar parimisht problemet e raporteve bilaterales mes Kosovës dhe Serbisë. Ne e dimë se në ato pikat e para të marrëveshjes flitet për respektimin e integritetit territorial flet për aspekte të simbolikës, ato diplomatike, dhe dy etnitete politike ndërkombëtare që ndërveprojnë mes vete dhe këtu është çështja. Çfarë do çështje tjetër në mënyrë për të pasur një zgjidhje afatgjate ka të bëjë me rregullim e raporteve pra bilaterale, në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thotë ajo.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci, foto Ridvan Slivova.

Deputetja thekson se Kosova është treguar gjithmonë e përgjegjshme dhe ka respektuar të gjitha obligimet.

“Aktualisht zhvillimet e fundit që nuk kanë qenë të pëlqyera nga ana jonë, kemi parë që kemi pasur një zhvendosje graduale në një pikë të vetme, pra kemi një lëvizje, nga ajo që ka qenë esenca dhe problematika jonë kryesore, dhe po e shohim që ka një interesim të shtuar, i cili i përkon Kosovës. Unë mendoj që Kosova historikisht ka treguar të jetë e përgjegjshme ndoshta edhe shumë zemërgjerë, në respektimin e të gjitha obligimeve. Qysh mund të jetë pengesë, kur t’i je pala që ke pranuar edhe ke shprehur gatishmërinë për të nënshkruar, ka qenë pala tjetër që ka refuzuar.

Ne mund të jemi rezistent vetëm në një pikë, dhe ndoshta ajo është pika që na ndan me palët tjera, që ka të bëjë me obligimin e vetëm”, shton ndër tjera ajo.

Lexo po ashtu Kundërshtuan themelimin e Komisionit Hetimor për rezerva shtetërore, deputetja Statovci numëron arsyet pse nuk do të ketë efekt

Statovci deklaroi se pala serbe nuk ka treguar asnjëherë kredibilitet.

“Ne kemi përballë një palë që nuk ka treguar kredibilitet në asnjërën marrëveshje paraprake, nuk është kohë e gjatë që ne kishim nënshkruar marrëveshje edhe për energji, pas asaj na është kërkuar udhërrëfyes, e kemi bërë edhe atë. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë se një proces të balancuar”.

Gjatë intervistës, deputetja tha se duhet të jetë një proces i balancuar dhe se Evropa nuk mund ta përballojë edhe një konflikt tjetër.

“Evropa nuk mund ta përballojë edhe një konflikt tjetër, është situata që Serbia duke qenë shtet më i madh mund të shkaktojë edhe konfliktin, unë mendoj që nuk stabilizohet përmes një kompromis, ka problem edhe me Mal të Zi, edhe Bosnjën. Ne kërkojmë përgjegjësi dhe balancim, Kosova ka bërë hapin e parë drejt marrëveshjes dhe kërkon zotim ndërkombëtar që palët të mbesin përgjegjëse”, tha mes tjerash ajo.

Në intervistë, deputetja e Listës “Guxo”, ka folur edhe për punën e Qeverisë Kurti dhe tema tjera të rëndësishme. /Telegrafi/

Exit mobile version