Site icon Telegrafi

Kreativiteti lind edhe nga shikimi

Të mbyllësh sytë, ose t’i lëvizësh në një mënyrë të caktuar, duket se mund të ndihmojë me të vërtetë kreativitetin, apo të gjejë zgjidhjen e papritur dhe të menjëhershme të një problemi

“Mbyll sytë për të parë”. Kështu thoshte piktori Paul Gauguin. Zakonisht kur ne përqendrohemi për të menduar, e heqim shikimin nga ambienti përreth. Ndoshta fiksojmë qiellin jashtë dritares, ose një mur.

Të mbyllësh sytë, ose t’i lëvizësh në një mënyrë të caktuar, duket se me të vërtetë mund të ndihmojë kreativitetin, apo të gjejë zgjidhjen e papritur dhe të menjëhershme të një problemi.

Një artikull i dalë në revistën shkencore “Frontiers in Psychology” analizon pyetjen: Ku shikojmë ne, kur kërkojmë ide të reja?”

Të ndjekësh shikimin
Sipas një hipoteze studimi, e cila gjithmonë e më shumë po merr mbështetje, proceset konjitive nuk janë operacione mendore të pastra në trurin tonë, por janë të ndërthurura ngushtësisht me sinjalet e ardhura nga nervat dhe nga trupi. Pyetja është: si kanë të bëjnë lëvizjet e syve me aktivitetin në të cilin në realitet shikimi nuk shërben e madje mund të jetë një pengesë?

Përqendrimi
Studime të ndryshme kanë vënë re se kur ne jemi të zënë me zgjidhjen e një problemi, kemi për tendencë që t’i pulitim më shumë qepallat e syrit. Të shikosh në një hapësirë boshe, konsiderohet një mënyrë për të lehtësuar kreativitetin dhe zgjidhjen e problemeve, duke shmangur kështu mbingarkesën e shumë stimujve të jashtëm. Por është vënë re se kur mendojmë në mënyrë kreative, sytë kanë tendencë që të lëvizin shkujdesshëm.

E djathtë dhe e majtë
Për shembull, lëvizjet e syrit në të majtë janë të lidhura me imazhet mendore më të larta dhe gjykime estetike më të detajuara, por performancë matematikore më të ulët, krahasuar kur syri lëviz në të djathtë. Sipas një studimi tjetër, kur ne kërkojmë përgjigjen për pyetje që kanë të bëjnë më shumë me argumente linguistike apo matematikore, kemi për tendencë që të lëvizim sytë më shumë nga e djathta, ndryshe nga ato pyetje që kanë të bëjnë me muzikën apo hapësirën. Në një tjetër rast, ai që lëvizte sytë më shumë nga e majta, kishte më shumë pikë në një test që mat kapacitetin e të bërit krijimtari duke përdorur fjalët.

Eureka
Disa studime kanë treguar se pjesëmarrësit ishin më të shpejtë për të lexuar dhe për të njohur zgjidhjet e disa pyetjeve të prezantuara në fushën vizive të majtë, që korrespondon me hemisferën e djathtë të trurit, shkruan Shqip. Në një test u pa se kishin më shumë mundësi të zgjidhnin një problem të komplikuar, ata pjesëmarrës të udhëzuar për të lëvizur shikimin sipas një skeme që përfaqësonte zgjidhjen e problemit, krahasuar me ata të detyruar që ta mbanin shikimin e fiksuar në një pikë.

Shiko këtu
Sipas autorëve, këto vëzhgime ndihmojnë për të kuptuar strategjitë që personat përdorin për të ndezur llambën. Mund të imagjinohet një botë në të cilën mësuesi kupton nëse studenti është afër pikës së zgjidhjes së një problemi, apo nëse është plotësisht i bllokuar. E madje, nëse e vendos në rrugën e duhur duke i thënë se ku duhet që ta drejtojë shikimin. Por duhet thënë se diçka të ngjashme shumë mësues e aplikojnë tashmë. /Telegrafi/

Exit mobile version