Lideri i PDK-së Memli Krasniqi, ka reaguar pasi deputetët e Vetëvendosjes votuan kundër që qytetarët të kenë mundësi të tërheqin një pjesë të mjeteve të tyre nga Trusti pensional.
Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook, tha se është për keqardhje injorimi i vazhdueshëm që Qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po u bëjnë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve.
“Në vend të mbështetjes e ndihmës, e tëra që po përfitojnë qytetarët nga kjo Qeveri është keqqeverisja, skandalet korruptive, papërgjegjësia, regresi ekonomik e vështirësimi i jetës së tyre. Si pasojë e krizës së rëndë ekonomike, është hera e dytë që me kërkesë të qytetarëve vjen në Kuvend nevoja për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga TRUST-i dhe po ashtu është hera e dytë që kjo mazhorancë e injoron”, tha deputeti i PDK-së.
Sipas Krasniqit, sa t’i kenë për miq, anëtarë të partisë e zyrtarë të lartë si Martin Berishaj, “është normale që këtij kryeministri do t’i mungojë vazhdimisht sensi i empatisë ndaj krizës me të cilën po ballafaqohen qytetarët.
“Trust jo, Martin po”, ka shkruar Krasniqi.
Në momentin e votimit në sallën e Kuvendit kanë qenë 101 deputetë, 97 prej të cilëve kanë votuar.
Për kanë votuar 42 deputetë e 55 kundër.
Më 15 korrik 2022, në Kuvendin e Kosovës janë dorëzuar 21 mijë e 398 nënshkrimet e mbledhura nga organizatorët e peticionit për lejimin e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të Trustit.
Projektligji është përkrahur edhe nga dy partitë tjera opozitare; Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës./Telegrafi/