Me fillimin e vitit të ri shkollor, liderët politikë në Kosovë kanë shprehur urimet dhe mbështetjen e tyre për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes postimeve në rrjetet sociale, kanë adresuar mesazhe inkurajuese për të gjithë ata që po fillojnë këtë rrugëtim arsimor.
Krasniqi, në urimin e tij theksoi rëndësinë e arsimit si themel për suksesin në jetë. “Për ju që po e nisni këtë rrugë për herë të parë, qoftë një rrugë e lehtë, e dashur dhe përplot me të arritura të shkëlqyeshme. Pa dyshim, rruga e suksesit në jetë fillon në bankat e shkollës,” tha Krasniqi.
Ai gjithashtu vlerësoi punën e mësimdhënësve duke shprehur admirimin e tij për durimin dhe pasionin e tyre.
“E di dhe e besoj se me ju, e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta,” shtoi ai.
Nga ana tjetër, Abdixhiku, uroi nxënësit që po fillojnë vitin e ri shkollor, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e rrugëtimit të atyre që po nisin klasën e parë.
“Për të gjithë fëmijët që nisin shkollën sot, në veçanti ata të klasës së parë, paçi fat plot. Rrugëtimi juaj është themeli i së ardhmes sonë – këtu, në Kosovë,” shkroi Abdixhiku. /Telegrafi/