Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, tha sot se presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva është “persona non grata në Izrael” pasi përmendi Adolf Hitlerin ndërsa dënoi fushatën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.
“Ajo që po ndodh në Rripin e Gazës dhe me popullin palestinez nuk ekziston në asnjë moment tjetër të historisë. Në fakt, ekzistonte kur Hitleri vendosi të vriste hebrenjtë”, tha presidenti brazilian gjatë vizitës së tij zyrtare në Etiopi të dielën – raportojnë mediat izraelite.
Pas kësaj deklarate, ministri Katz ftoi ambasadorin e Brazilit në Izrael, Frederic Meyer, të protestonte në Qendrën Përkujtimore të Holokaustit Yad Vashem në Jerusalem, dhe i tha se e kishte sjellë në “një vend që dëshmon më shumë se çdo gjë tjetër, atë që nazistët dhe Hitleri u bënë hebrenjve”.
“Krahasimi i luftës së drejtë të Izraelit kundër Hamasit me krimet e Hitlerit dhe nazistëve është një turp dhe një sulm serioz antisemitik. Në emër të qytetarëve të Izraelit, informoni presidentin Lula se ai është persona non grata në Izrael derisa të kërkojë falje dhe të tërheqë fjalët e tij”, tha kreu i diplomacisë izraelite.
Kryetari i Yad Vashem, Dani Dayan nuk ishte në takim, por ai më parë e vlerësoi deklaratën e presidentit brazilian si një “shtrembërim ekstrem të Holokaustit” dhe “të turpshëm”, dhe tha se deklarata buron “nga një kombinim i tmerrshëm i urrejtjes dhe injorancës”.
Dayan aludoi për faktin se Brazili është një vëzhgues në Aleancën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit (IHRA) dhe duhet të bëhet anëtar, dhe tha se deklarata e Lulas ishte “qartësisht antisemitike” dhe se ishte “e mjerë për liderin e një vendi që ta ulë veten aq poshtë”. /Telegrafi/