Site icon Telegrafi

KQZ: Të gjitha qendrat e votimit në veri janë të hapura, qytetarët të marrin pjesë në votim

Në katër komunat veriore ka nisur procesi i votimit “për” ose “jo” shkarkimit të kryetarëve.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në konferencën e parë për media tha se të gjitha qendrat e votimit janë hapur, transmeton Telegrafi.

“Janë hapur të gjitha qendrat e votimit në këto komuna. Sipas njoftimit, numri i qendrave të votimit në Leposaviq është tetë, në Zubin Potok, Mitrovicë e veriut dhe Zveçan nga pesë. Numri gjithsej është 23, me gjithsej 63 vendovotime”, tha ai.

Elezi shtoi tutje se numri i qytetarëve më të drejtë vote është 45 mijë e 556.

Lexo po ashtu Shkarkimi i kryetarëve - sot votohet në katër komunat në veri

“Ftoj qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën në procesin e votimit dhe të deklarohen nëse janë për ose jo largimit të kryetarëve të katër komunave”, potencoi ai.

Që votimi të jetë i suksesshëm duhet që të votojnë, minimalisht, 50% + 1 qytetar. Nëse përmbushet ky kusht, atëherë brenda afateve ligjore mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Në rast se pjesëmarrja është më e ulët se 50%+1, atëherë votimi konsiderohet i dështuar dhe një iniciativë tjetër nuk mund të merret pa kaluar 12 muaj. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version