Site icon Telegrafi

KQZ shpërndan sot materialin e ndjeshëm zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë sot shpërndarjen e materialit të ndjeshëm zgjedhor për zgjedhjet e së parakohshme parlamentare që pritet të mbahen nesër.

Materiali i ndjeshëm zgjedhor ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet e që aktualisht janë në depon qendrore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bazë të planit operacional shpërndahen nga kjo depo për në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në të 38 komunat e Kosovës.

Ndërkaq të dielën në mëngjes në orët e hershme materiali zgjedhor shpërndahet nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit në secilën prej komunave përkatëse.

Sa i përket fletëvotimeve, edhe këtë vit si në çdo proces zgjedhor janë shtypur më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve, por sipas KQZ, kjo nuk do ta kufizojë askënd për të mos e ushtruar të drejtën e votës.

Fletëvotimet janë shtypur në Slloveni. Bazuar në listën përfundimtare të votuesve me të drejtë vote janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, por pavarësisht kësaj, KQZ ka shtypur më pak fletëvotime sesa numri i përgjithshëm i votuesve, janë gjithsej 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime që janë shtypur përfshirë edhe ato rezervë. Rrjedhimisht janë 117 mijë e 662 fletëvotime më pak sesa numri i përgjithshëm i votuesve.

Exit mobile version