Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të ditur se po vazhdon procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit.
KQZ tutje njofton se procesi i numërimit ka filluar edhe në Qendrën komunale të numërimit në Ferizaj.
“Në orën 08:00 ka vazhduar procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Partesh, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Hani i Elezit.
Gjithashtu, procesin e numërimit e ka filluar edhe Qendra Komunale e Numërimit në Ferizaj, ndërkaq për qendrat tjera të cilat do të fillojnë procesin e numërimit do të njoftojmë së shpejti”, thekson KQZ.
Ndryshe, referuar ueb-faqes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) deri më tani janë përpunuar 99.72% e votave nga 2.526 qendra votimi nga gjithsej 2.533.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë me 40.86% të votave, që përbën 341,562 vota.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK): E dyta me 22.05% ose 184,238 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): E treta me 17.64% ose 147,777 vota.
AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal: E katërta me 7.46% ose 62,278 vota.
Lista Serbe: E pesta me 4.53% ose 37,843 vota.
Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës, të cilat janë ende në proces numërimi. /Telegrafi/