Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, saktësisht Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është duke punuar intensivisht në përmbylljen e aktiviteteve të parapara sipas procedurave.
Deri më tani nga 11 653 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar 8 212 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 3 435 zarfe me fletëvotime.
Këto të dhëna i bëri të ditur përmes një konference për medie, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Ai tha se “sipas të dhënave të deritashme, QNR-ja ka arritur që nga 2 382 vendvotime të procesojë në sistem të dhënat nga formularët e subjekteve politike për 2 100 vendvotime (88.16%) si dhe të dhënat nga formularët e kandidatëve për 1 679 vendvotime (70.49%)”.
“Deri më tani është skanuar lista përfundimtare e votuesve nga 2 035 vendvotime (85.43%). Siç e kemi bërë të ditur ky skanim është i domosdoshëm për të na siguruar nëse ka ose jo raste kur ndonjë votues ka votuar në vendvotimin e tij të rregullt, por edhe në vendvotimin me kusht”, u shpreh Elezi.
Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat i kemi pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës.
“Ky proces verifikimi do të na ndihmojë që të japim përgjigje se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit”, theksoi ai.
Deri më tani, nga 11 653 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar 8 212 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 3 435 zarfe me fletëvotime.
“Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide”, sqaroi Elezi. /Telegrafi/