Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka marr vendim për ndalimin e transmetimit të kanaleve të “Arena Sport” për shkak të shfaqjes së spotit kërcënues në serbisht.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se në rend dite është përfshirë edhe propozimi i kryetarit Jeton Mehmeti lidhur me transmetimit të kanaleve të “Arena Sport” që shfaqën mesazhe mbështetëse dhe kërcënuese për sulmin terrorist të 24 shtator 2023 në Banjskë.
“Tashmë kemi prova se kanalet sportive të ‘Arena Sport’ kanë transmetuar përmbajtje të cilat janë në kundërshtim me rregulloren e KPM-së 2020/01. Do të thotë, janë transmetuar video-mesazhe të cilat vijnë nga Serbia dhe të cilat kanë përmbajtje të cilat glorifikojnë sulmin terrorist në veri dhe mbi të gjitha janë mesazhe kërcënuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Prandaj rekomandoj që si Komision të marrim një vendim i cili i obligon operatorët e shpërndarjes që të ndalojnë menjëherë platformat e kanaleve ‘Arena’ dhe kjo masë proporcionale do të vlejë deri në një vendim tjetër të Komisionit”, tha ai.
Pas diskutimeve për rastin edhe nga anëtarët tjerë të KPM-së, Komisioni mori vendim që të urdhërohen operatorët e shpërndarjes që menjëherë të ndalojnë transmetimin në platformat e tyre kanalet e “Arena Sport”, me qëllim të parandalimit të përmbajtjeve programore të cilat cenojnë interesin nacional dhe sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Kjo masë do të vlejë deri në një vendim tjetër të Komisionit.
Në vazhdim të mbledhjes Komisioni ka shqyrtuar vendosjen në diskutim publik të draft rregulloreve për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në shërbimet mediale audio-vizuele, draft rregullores për komunikimet komerciale audio dhe audio-vizuele si dhe draft Rregullore për pronësinë dhe koncentrimin e të licencuarve të KPM-së.
Pas shqyrtimit të drafteve, bazuar në nenin 8 paragrafi 2, të Ligjit për KPM-në Nr. 04/L-44, Komisioni e ka aprovuar vendosjen në diskutim publik të draft rregulloreve në fjalë.
KPM u bën ftesë publike qytetarëve, përfaqësuesve të shërbimeve mediale audio-vizuale dhe palëve tjera të interesuara, që të dërgojnë komente me shkrim për draft rregulloret e lartpërmendura. /Telegrafi/