Site icon Telegrafi

KPK dhe ZKPSH dënojnë kërcënimet ndaj prokurores Lumturije Hoxha dhe zëdhënësit Shkodran Nikçi

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) dënojnë me forcë kërcënimin e bërë përmes telefonit ndaj prokurores Lumturije Hoxha dhe zëdhënësit Shkodran Nikçi, që ndërlidhet me rastin e motrës së të dyshuarit me inicialet A.M.

Në njoftimin e tyre të shpërndarë në rrjetin social Facebook, këto dy institucione theksojnë se kërcënimet dhe dyshimet për përcjellje me veturë kanë të bëjnë me detyrat zyrtare të prokurores Hoxha dhe zëdhënsit Nikçi.

Ata kanë ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera për të identifikuar autorët e këtij kërcënimi dhe për t’i dërguar ata përpara drejtësisë.

KPK dhe ZKPSH i paralajmërojnë individët që përpiqen të friksojnë prokurorët dhe stafin tjetër, se këto veprime nuk do të pengojnë përkushtimin e tyre për të zbatuar ligjin.

“Ne mbështesim fuqishëm prokuroren Hoxha dhe zëdhënësin Nikçi në punën e tyre për hetimin e veprave penale dhe për transparencën para opinionit publik”, thuhet në reagimin e përbashkët.

Përfundimisht, KPK dhe ZKPSH theksojnë se këto veprime të kërcënimit nuk do të ndikojnë në përkushtimin e tyre për fuqizimin e shtetit ligjor në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version