Kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaron se se për herë të parë bllokimi eurointegrues i Maqedonisë vjen nga brenda vendit dhe theksoi se nevojitet guxim për të marrë vendime, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Kam biseduar me kancelarin e Gjermanisë dhe presidentin e Francës, presidentin e Këshillit Evropian dhe presidentin e Komisionit Evropian. Nga të gjitha anët vijnë sinjale të qarta për një derë të hapur për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Na takon ne të marrim një vendim. Bllokimi për herë të parë po vjen nga brenda, prandaj them se duhet të keni guxim për të marrë vendim”, tha Kovaçevski për “Sitel”.
Në të njëjtën kohë, kryeministri Kovaçevski e krahasoi Maqedoninë e Veriut me Kroacinë për sa i përket negociatave me BE-në.
“Ne ishim bashkë me Kroacinë, ndërsa Kroacia u bashkua me BE. Ne ishim në të njëjtin pozicion si Kroacia kur filluam negociatat me BE-në, shikoni ku është Kroacia, shikoni ku jemi. Ata kanë hyrë, dhe ne ende presim”, tha kryeministri Kovaçevski.
I pyetur nëse vendi mund të marrë garanci për anëtarësim në BE në lidhje me proceset reformuese në BE, Kovaçevski thekson se e ardhmja e BE-së është një nga temat që do të diskutohet në Samitin e ardhshëm joformal të BE-së, i cili do të mbahet në Spanjë dhe do të mbahet së bashku me takimin e Komunitetit Politik Evropian./Telegrafi/