Site icon Telegrafi

Kosovës i duhen edhe 30 vjet për t’i hulumtuar krimet e luftës

Institucioneve përgjegjëse do t’u duhen edhe 30 vjet për t’i hulumtuar krimet e luftës së fundit.  Mbyllja e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, që ishte në funksion që nga viti 2011, po shihet si pengesë në këtë drejtim.

Edhe pse në kuadër të ministrisë së Drejtësisë funksionon një departament i veçantë që qëllim ka mbledhjen, përpunimin dhe klasifikimin e rasteve të krimeve të luftës.

Ish-drejtor i këtij Instituti profesori i Drejtës Penale, Ismet Salihu, po konsideron se Kosova ka kapacitete që t’i hulumtojë kryesit e krimeve të luftës.

Salihu ka shprehur shqetësim se me mbylljen e Institutit ngase sipas tij, Kosovës i duhen edhe 30 vjet të ardhshme për t’i hulumtuar këto krime.

Sipas tij, këto hulumtime nuk mund të kryhen me tre persona sa kanë punuar në Institut, por duhet më shumë se 15 sosh.

“Në Kosovë ka qenë i hapur Instituti për Krime të Luftës dhe aty në kushte modeste është punuar. Kam qenë edhe unë anëtar i punësuar dhe kemi bërë një punë maksimalisht të mundshme me ato kapacitet, por për të qenë një ironi i madhe pa presidencë në vitin e kaluar me një dekret të posaçëm të Qeverisë së atëhershme është mbyllë Instituti për Krimet e Luftës me pretekst se do të themelohet një departament për hulumtimin e krimeve dhe ky departament në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe është emëruar si departament për drejtësinë tranzitcionale në të cilën 3 persona do të punojmë në hulumtimin e krimeve të luftës dhe 3 të tjerë në krimet e rëndomta ordinere”, tha ai për Ekonomia Online.

“Me themelimin e këtij departamenti është mbyll Instituti i Krimeve të Luftës dhe unë mund të them lirisht se në bazë të këtyre njohurive ky departament edhe për 30 vitet e ardhshme nuk do të mundet me i hulumtuar me i zbardh krimet e luftës. Sepse me 3 vetë nuk bëhet kjo punë, por duhet me 15 vetë dhe me kushte maksimale të punës për me i hulumtuar krimet e shumta”.

Sipas Salihut Kosova ka kapacitete humane dhe materiale për zbardhjen e krimeve të luftës mirëpo duhet angazhim i përgjithshëm.

“Kosova ka kapacitete humane, por mund të themi edhe materiale mirëpo këto kapacitet duhet të organizohen dhe të sistemohen. Kosova ka dhjetëra njerëz me fakultete juridike dhe ata njerëz duhet të organizohen dhe të inkuadrohen në zbardhjen e krimeve të luftës por këtë duhet ta bëjnë institucionet e Kosovës”.

Ai e ka mbështetur iniciativën e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli për themelimin muzeut, duke thënë se një gjë e tillë është e mundshme. Sipas tij, kjo arrihet duke u dëshmuar kancelarive të botës prova të forta për krime.

“Qeveria që do të formohet duhet patjetër të merret edhe me këtë punë dhe më vjen mirë që në programin e kësaj Qeveri që do të formohet është llogarit edhe çështja e rithemelimit të Institutit për Krimet e Luftës dhe krahas Institutit duhet të themelohet edhe muzeu për krimet e luftës që ishte propozim i ish-kryeparlamentarit Veselit në mënyrë që të grumbullohen dhe të ekspozohen dhe ai muze të jetë një histori që edhe pas shumë vitesh të vizitohet nga gjenerata e ardhshme që kanë kryer forcat serbe”.

Gjithashtu ai bënë edhe krahasimin ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës. Ku ai thotë se tash e 28 vjet në Bosnje ky Instituti ende vazhdon i të jetë i hapur.

“Instituti për Krimet e Luftës për aq kohë sa ka punuar ka bërën një punë relativisht të madhe dhe ka bërë studime në shkatërrimin e trashëgimisë kulturore dhe ka bërë punë në hulumtimin e vrasjeve dhe është botuar vëllimi i parë i personave të vrarë madje është bërë një studim i posaçëm për të pagjeturit dhe janë botuar 10 libra në bazë të hulumtimeve dhe këto libra janë botuar në gjuhën shqipe dhe angleze me të gjitha provat e nevojshme”, tha Salihu.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Albulena Haxhiu, paralajëmron se ky Institut do të fillojë punën sërish. Ajo sqaron se Instituti do t’i shërbejë prokurorisë për dokumentimin e krimeve të luftës.

Por që shteti nuk ka një arkiv zyrtar të krimeve të kryera nga regjimi serb gjatë luftës së fundit. Për të arritur rezultatet konkrete ajo thotë se përveç dëshmive, duhet edhe fuqizim i prokurorisë.

“Me Qeverinë e ardhshme ne kemi paraparë edhe ta themelojmë Institutin për krimet e luftës që do të jetë në shërbim të prokurorisë për dokumentimin e krimeve të luftës. Ne nuk kemi një arkiv veç zyrtare për krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë dhe ne do të punojmë shumë në këtë drejtim pra edhe me themelimin për institutin e krimeve të luftës, por edhe në fuqizim të prokurorisë”.

Kurse Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), pohon se Kosova ka kornizë të mjaftueshme ligjore mirëpo ai thotë se mungon vullneti politik dhe planifikimi apo menaxhimi i duhur i sistemit prokurorial, për hetimin e këtyre krimeve.

“Kosova ka bazë ligjore, s’ka vullnet politik  dhe kjo mungesë  e vullnetit politik atëherë mund të themi lirisht që po përkthehet në një amnisti të plotë që shteti i Kosovës ua bënë, kryerësve të krimeve të luftës që kanë ndodhur në Kosovë, dhe në këtë sigurisht që dëmtohen vet viktimat e luftës në Kosovë familjarët e tyre, por edhe vet shteti Republika  e Kosovës  të cilës së paku në arenën ndërkombëtare, nëse marrim për bazë statistikat  e sa personave janë të akuzuar dhe dënuar për krime lufte në Kosovë del që krime lufte në Kosovë kanë kryer shqiptarët dhe jo një regjim si ka qenë regjimi jogusllav regjimi serb të udhëhequr nga Millosheviqi”.

“Çka Kosova mund të bëjë dhe ka bërë është që në çdo rast kur kryesit e këtyre krimeve të luftës nuk janë në Kosovë dhe gjinden jashtë të shfrytëzojnë atë që e lejon ligji dhe të lëshojnë fletë-arreste ndërkombëtare në mënyrë që pastaj këtyre personave të dyshuar së paku tu kufizohet liria e lëvizjes, apo në ato raste kur dëshirojnë të lëvizin të arrestohen në bazë të atyre fletë-arresteve ndërkombëtare”, tha Miftaraj.

Exit mobile version