Tokë ka, por nuk punohet. Banorët e vendit më të varfër në rajon dita ditës po largohen nga bujqësia.
Prej 415 mijë e 683 hektarë tokë të shfrytëzueshme bujqësore sa ka vendi, në vitin 2016 me kultura bujqësore janë mbjellë vetëm 187 mijë e 222 hektarë tokë. Pjesën më të madhe të kësaj toke, qytetarët po e lënë livadhe e kullosa.
Në bazë të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë që ka siguruar Infokusi, prej tërë sipërfaqes së shfrytëzuar të tokës bujqësore, arat marrin pjesë me vetëm 45 për qind. Pjesa tjetër u përket livadheve e kullosave dhe kulturave shumëvjeçare.
“Nga gjithsej sipërfaqja e shfrytëzuar e tokës bujqësore, pjesa më e madhe i përket: livadheve dhe kullosave (përfshirë tokën e përbashkët) me 52.6 %; si dhe tokës së punueshme, ku arat marrin pjesë me 45.0 %, kulturat shumëvjeçare (pemët, vreshtat, fidanet) 2.1% dhe kopshtet 0.2 %”, thuhet në përgjigjet e MBPZHR.
Por, që nga viti i ardhshëm numri i qytetarëve që e punojnë tokën e merren me bujqësi pritet të rritet.
Kjo për faktin se në fund të 2018’ës, pritet të finalizohet projekti për vlerësimin e tokave me qëllim të përcaktimit të vlerës së tatimit në pronë. E nga tatimi do të lirohen vetëm ata që i punojnë tokat bujqësore, shkruan Infokusi.
Përfitime nga ky projekt do të kenë më së shumti banorët e rajonit të Prishtinës. Në bazë të regjistrimit të bujqësisë të realizuar në 2014-ën, toka më së shumti punohet në Prishtinë, pasuar nga Mitrovica dhe Peja.
Ndërsa, më së paku në Ferizaj.
“Regjioni i Prishtinës ka sipërfaqe më të madhe të tokës se punueshme –arat 49,945 ha, me pjesëmarrje prej 28% dhe po ashtu ka numër me te madh te ekonomive bujqësore (29,743 ). Pastaj radhitet regjioni i Pejës me 26,447 ha apo pjesëmarrje prej 15 % ne totalin e Tokave te punueshme – arat, dhe ka 13,840 ekonomi bujqësore.
Me numër me të vogël të hektarëve të tokës së punueshme paraqitet regjioni i Ferizajt me vetëm 14,837ha apo pjesëmarrje prej 8% dhe me numër më të vogël të ekonomive bujqësore(11,793)”, thonë në Ministrinë e Bujqësisë për Infokusin.
E kulturat bujqësore që kultivohen më së shumti nga kosovarët po del të jenë drithërat, bimët farogjere, perimet e kultura të tjera. Ndërkaq, sipërfaqja e ujitur, të paktën një herë është 32 mijë e 237 hektarë.
“Nga gjithsej tokë e punueshme – ara (187, 222.87 ha), pjesa më e madhe është me drithëra 134, 570.91 ha (71.9 %); bimë foragjere me 28, 914.30 ha (15.4 %); perime (në fushë të hapur dhe në serra) me 8, 320.94 ha (4.4%); patate 3, 795.31 ha (2.0 %); bishtajore 3, 442.95 ha (1.8%); bimë industriale 388.91 ha (0.2 %); kultura të tjera 1, 122.53 ha (0.6 %) dhe tokë djerrinë 6,667.02 ha (3.6 %).”
Nga llojet e bimëve qe me më së shumti kultivohen në Kosovë, janë gruri, misri, elbi, thekëra, tërshëra dhe drithëra të tjera kokërr, ndërsa prej bimëve foragjere kultivohen misri, sana, bari, jonxha e tërfili.
Në tokat bujqësore të vendit zënë vend edhe kulturat industriale, si luledielli, bimët aromatike dhe mjekuese.
Por, më së shumti këto toka janë të mbjella me pemë e perime. Mbi 20 lloje të ndryshme të pemëve e perimeve janë të mbjella në vend. Nga perimet dominojnë patatet e domatet, ndërsa prej pemëve më së shumti kultivohen mollët e dardhat, shkruan Infokusi.
“Perimet: Patate Domate Patëllxhan i zi Spec Kungull Kungull misiri Kërpudha Trangull Shalqi Pjepër Lakër Lulelakër Spinaq Sallatë Panxhar Rrepkë (rillkë) Majdanoz Presh (purri) Qepë Hudhër Fasule Bizele Bishtajoret tjera Karrota Perime tjera
Pemët: Molla, Dardha, Ftoni, Mushmolla, Kumbulla, Kajsia, Pjeshka, Qershia, Vishnja, Arra Lajthia, Dredhëza, Mjedra, Manaferra, Rrush për verë, Rrush tryeze, Gështenja, Boronica dhe Pemë tjera”, thuhet më tej në të dhënat e kësaj Ministrie. /Infokusi/Telegrafi/