Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që nuk aplikon tarifa për shfrytëzuesit e autostradave.
Mirëmbajtja e këtyre rrugëve bëhet për çdo vit me buxhet të shtetit, megjithatë drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës planifikojnë që shumë shpejtë shfrytëzimi i autostradave të bëhet me pagesë. Ndonëse, ministri i MMPHI, Liburn Aliu pretendon të bëhet një sistem më i modernizuar për pagesat siç është në vendet e Bashkimit Evropian.
Ekspertë të ekonomisë dhe komunikacionit vlerësojnë se e njëjta të bëhet me pagesë, mirëpo të bëhet përshkallëzimi i çmimit për qytetarët e vendit dhe të rajonit. Derisa të gatshëm të paguajnë janë edhe qytetarët. Sipas tyre, kjo kontribuon në të mirën e shtetit.
Ministri Aliu derisa ka thënë se janë duke punuar në këtë drejtim, ka shtuar se njëkohësisht do të ketë edhe kontrolle të pagesave të tarifave.
Ndërsa theksoi se kjo po ashtu do të ndihmojë në zvogëlimin e aksidenteve dhe kontrollin e shpejtësisë, si dhe në menaxhimin e pagesave të tarifave për rrugë.
“Do të bëhen me pagesë, porse kjo pagesë do të bëhet me sistemin e ITS. Jemi duke shqyrtuar mundësinë që të mos kemi këso rampa dhe ndalesa, por kjo të bëhet në forma elektronike sikur që bëhet në shumë vende të BE-së. Pra, kësisoj edhe veturat apo automjetet që kalojnë transit nëpër Kosovë do të bëjnë pagesat, njëkohësisht edhe qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund t’i bëjnë pagesat e tyre në mënyrat si do të organizohet ajo. Pra, më shumë jemi të orientuar nga ideja e pagesës së shfrytëzimit të rrugëve përmes formave elektronike, tash që jemi në fazë të realizimit të projektit të ITS-së, pra sistemit inteligjent të transportit. Kjo do të ndikojë edhe në kujdesin trafik dhe në zvogëlimin e aksidenteve me fatalitet. Përmes kamerave dhe kontrollit të shpejtësisë, por, njëkohësisht do të ketë edhe kontrolle të pagesave të tarifave apo taksave që paguhen për rrugë”, thotë Aliu.
Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti mbështet idenë e pagesës për rrugët nacionale, por shpreh shqetësimin për kostot që mund të jenë të larta për qytetarët, duke sugjeruar që tarifa të jetë më e ulët, rreth 1-2 euro. Ai thekson se pagesat e larta mund të ndikojnë negativisht në turizmin dhe apelon për një analizë të hollësishme të të ardhurave të qytetarëve dhe pagës mesatare.
Ndërsa, thotë se kjo pagesë nuk hyn në kuadër të 40 euroshit që paguajnë qytetarët derisa regjistrojnë veturën.
“Po, patjetër, por kjo nuk hyn në kuadër të 40 euroshit që paguajmë, jo. Autostrada duhet të paguhet, por të shikohen të hyrat e qytetarit, paga mesatare, pastaj të analizohet, jo të bëhet si në Shqipëri, kjo është në të kundërtën e joshjes së turizmit prej anës së Kosovës. Bile, kosovarët do të duhej të protestojnë në raport me këtë, përmes zareve ndërlidhëse apo ambasadës që kemi atje, apo qeveria të bëjë një vërejtje që të ndodhë me çmim kaq të lartë. Imagjinoni, Maqedonia e ka 2 euro, kurse Shqipëria e ka 5 euro. Maksimumi duhet me qenë 2 euro, e idealja 1 euro”, thotë ai.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna vlerëson se pagesa për rrugët do të çojë në mirëmbajtje më të mirë dhe kursim të buxhetit të shtetit.
“Mirëmbajtje më të mirë, më kualitative do të kishin rrugët, do të kishte kursyer buxhetin e shtetit, për shkak se të hyrat që vinë ish dashtë të shpenzohen për mirëmbajtje, është çështje që duhet vendosur institucionet qendrore, ato duhet të bëjnë një studim fizibiliteti, duhet të shohin sa shpenzohet, sa ka nevojë për mirëmbajtje, sa duhet të jetë shuma e saj, dhe sa pagesa që duhet bërë për të mbuluar shumën e mirëmbajtjes”, thotë Rafuna.
Profesori universitar, Muhamet Sadiku thekson se mirëmbajtja e rrugëve moderne dhe autostradave është e kushtueshme dhe pagesa për shfrytëzimin e tyre është e domosdoshme.
“Mirëmbajtja e rrugëve moderne, mirëmbajtja e autostradave kushton mjaftë. Është e natyrshme se duhet të futet pagesa për shfrytëzimin e kësaj rruge, pavarësisht se kjo pagesë në rastin e Kosovës nuk do duhej të ishte e lartë, marrë parasysh situatën sociale me të cilën përballen banorët e Kosovës, sepse ato autostrada kryesisht do të shfrytëzohen nga banoret e Kosovës dhe nga vendet fqinjë, nga transportuesit e ndryshëm. Prandaj, Kosova në këtë situatë kur mungojnë pagesat është e detyruar që të jep para të mëdha nga buxheti për t’i siguruar mirëmbajtjen e rrugëve”, thotë Sadiku.
Edhe qytetarët mendojnë se shfrytëzimi i rrugëve duhet të bëhet me pagesë. Musli Musliu thotë se qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë në bazë të standardeve që kanë.
“Duhet të bëhet me pagesë, duhet ajo rrugë të mirëmbahet, të mbikqyret, duhet popullata të kulturohet që duhet të paguajnë diçka. Shteti nuk është vetëm për t’u shfrytëzuar, derisa shkon në buxhet të shtetit, është mrekulli të bëhet një pagesë. Asgjë nuk bëhet t’i japim 2 euro. Ne si banorë të Kosovës duhet të paguajmë në bazë të standardeve të rrogave që kemi në Kosovë”, thotë Musliu.
Fitim Nebihi thotë se nga Gjermania deri në Kosovë, paguan për rrugët por vetëm në vendin tonë nuk i kërkohet.
“Normal që duhet të bëhet, kjo shkon për të mirën e shtetit, për të ecë shteti përpara duhet të bëhet me pagesë…1:55 Unë prej Gjermanisë paguajë deri këtu, dhe në Kosovë nuk paguajë, dhe normal edhe këtu duhet të bëhet”, thotë Nebihi.
Ndërkaq, qytetarët që shfrytëzojnë autostradën për Shqipëri duhet të paguajnë pesë euro, për dallim nga Maqedonia, në të cilën shtetasit e huaj duhet të paguajnë duke filluar nga një euro, ndërkaq qytetarët e këtij shteti paguajnë duke filluar nga 0.65 cent. Rrugët me pagesë janë edhe në Serbi, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, si dhe vende tjera të Evropës./kp/