Në Aeroportin e Prishtinës, Berisha është pritur nga zv/kryeministrat Hajredin Kuçi dhe Ramë Manaj dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka. "Kosovën e vizitoj gjithnjë me kënaqësi të madhe", u shpreh Berisha.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Berisha do të takohet me liderët institucional të Kosovës, nga presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe liderët e tjerë sikurse Ramush Haradinaj (AAK), Nexhat Daci (LDDK), Behgjet Pacolli (AKR) etj.
Universiteti shtetëror i Kosovës në Prishtinë (UP) ka vendosur që ti jap Berishes titullin "Doktor Honoris Causa". Në librin zyrtar të personaliteteve që nderohen me "Doctor Honoris Causa" i UP-së, figurojnë vetëm shtatë emra, amerikanët sikurse ish presidenti Bill Clinton, zëvendës presidenti aktual i SHBA-ve, Wlliam Kerr, austriakët Michael Wninger e Wolfgang Benedeck, shqiptarët Ismail Kadare e Bamir Topi, dhe ministri aktual i Francës, Bernard Kouchner.
Qyteti i Prizrenit ka vendosur që ta shpall Berishën "Qytetar Nderi i Prizrenit".
Gjatë vizitës, Sali Berisha pritet të nënshkruaj një sërë marrëveshjesh me institucionet e Kosovës, të natyrës ekonomike, arsimore, lëvizjen e qytetarëve etj.
Sipas disa njoftimeve, në ceremonitë e pritjes, janë parashikuar edhe qytetarë që përshëndesin Berishën në rrugë.
Së paku dy zëdhënës qeveritarë në Prishtinë e Tiranë, e quanin Berishën – në njoftimet përkatëse mbi vizitën – me termin ‘lideri i kombit’, sepse sipas këtyre njoftimeve paraprake, ai ‘shkon në Prishtine pasi ka dhënë deklarata për bashkimin e trojeve’. /Telegrafi/