Site icon Telegrafi

“Kosova në fund të botës me arsim”, LDK: Kjo qeveri arsimin e ka karrem kontrolli

Partitë opozitare kanë reaguar sot lidhur me rezultatet e dobëta në PISA. Pas Partisë Demokratike të Kosovës, reagim ka pasur edhe nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Jehona Lushaku nga LDK thekson se të dhënat e testit PISA po rangojnë Kosovën në vitin 2023 më poshtë se kurdoherë.

Ajo thekson se ka përkeqësim në të kuptuar në lexim e ka përkeqësim në matematikë dhe shkencë. Vendi i 76 nga 80 sa janë.

Lexo po ashtu Kosova pothuajse "në fund të pusit", publikohen rezultatet e testit PISA

“Ky është rezultati i saktë i një qeverie, që arsimin e sheh si sistem të dobësimit të shoqërisë, luftës politike dhe kontrollit të masës.

A ju kujtohet kur thonin që do të ndërtojmë çerdhe dhe sot se kompletuan asnjë? Aty është zanafilla e të kuptuarit dhe leximit. Shumica fëmijëve të Kosovës ende nuk janë të përfshirë në sistemin parashkollor.

A ju kujtohet kur 1050 shkolla me mbi 320 mije fëmijë humbën qindra mijëra orë mësimore për katër javë në fillim vitin 2022? Kryeministri nuk pranonte as që të fliste me arsimtarët grevistë. Performanca e arsimtarëve është garant i cilësisë në klasë e bazohet në motivimin që i siguron sistemi qeverisës.

A ju kujtohet kur filloi viti shkollor 2023, e fëmijët shkuan pa tekste shkollore për javë të tëra? Qindra mijëra orë mësimore humbën pa pasur tekste dhe përmbajtje.

Nuk ka si të ketë rezultate, nëse veç këto tri elemente merren për bazë. Kjo qeveri, arsimin e ka karrem kontrolli!”, shkruan Lushaku në Facebook.


Lidhur me rezultatet e dobëta të PISA-s ka reaguar më parë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona – në testin PISA, Kosova më keq se më 2014 e 2018. Kosova renditet, praktikisht, në fund të tabelës së 80 shteteve pjesëmarrëse. E dhembshme! E tmerrshme!”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, edhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka reaguar pas publikimit të rezultateve të testit PISA, ku Kosova u rendit pothuajse në vendet e fundit.

ORCA ka thënë se me shqetësim, por të pa befasuar kanë rezultatet e këtij testi, të cilin Kosova ka shënuar rënie si nga rangimi ashtu edhe në performancë.

Nga kjo organizatë më tej kanë thënë se analfabetizmi funksional është rritur fatkeqësisht, pra numri i nxënësve që nuk kuptojnë të lexuarit, nga 78% sa ka qenë në vitin 2018 është rritur në 83% në vitin 2022.

Lexo po ashtu Kosova shënoi rënie në PISA, reagon ORCA: Katastrofë arsimore, analfabetizmi në rritje

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.

Kosova ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, pra ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë.

Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë si dhe pozitën e 74-të për matematikë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version