Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar importin e kafshëve të gjalla të llojit dele dhe dhi nga Rumania dhe Greqia.
Ky vendim është marrë duke u bazuar në situatën epidemiologjike të raportuar nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Sistemi i Lajmërimit të Sëmundjeve të Kafshëve në BE (ADIS), lidhur me shpërthimin e sëmundjes Mortaja e ruminantëve të vegjël (dele dhe dhi) në këto vende.
Agjencia ka vendosur të ndalojë importin e kafshëve të gjalla të llojit dele dhe dhi nga shtetet e prekura, si dhe nga zonat specifike të caktuara si të prekura me këtë sëmundje.
Ndalohet gjithashtu importi i gjedhëve nga këto zona, me qëllim për të parandaluar përhapjen e sëmundjes. Megjithatë, importi i gjedhëve nga zonat e lira të këtyre vendeve lejohet në territorin e Republikës së Kosovës.
Masat parandaluese për të penguar përhapjen e sëmundjes janë vendosur nga autoritetet kompetente të Rumanisë dhe Greqisë, të cilat nuk lëshojnë dokumente apo certifikata mbi gjendjen shëndetësore për kafshët e fermave nga zonat e prekura.
Ky vendim është marrë duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare të tregtimit të kafshëve të gjalla, si një masë shtesë për të forcuar kontrollin në pikat kufitare dhe për të parandaluar hyrjen e kafshëve të infektuara, gjithmonë duke respektuar rregullat kombëtare të legjislacionit në fuqi.
Fermerët që mbajnë dele dhe dhi udhëzohen të rrisin masat e biosigurisë në fermat e tyre dhe të raportojnë çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve tek veterineri.
Konsumatorët nuk kanë arsye për shqetësim, pasi sëmundja ka karakter ekonomik dhe nuk përhapet tek njerëzit./Telegrafi/