Site icon Telegrafi

Kosova ndalon eksportin e përkohshëm të drithërave, miellit, vajit ushqimor, sheqerit dhe kripës

Qeveria e Kosovë në mbledhjen e fundit ka vendosur që të ndaloj eksportin dhe rieksportin e disa produkteve bazike.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, ky vendim po merret në një situatë kur është vështirësuar zinxhiri i furnizimit, i ndikuar nga invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë.

“Invazioni dhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë ka ndikuar në zinxhirin e furnizimit me produkte ushqimore në Evropë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me institucionet përkatëse dhe akterët në treg ka përcjellë rritjet e çmimeve të produkteve në vend dhe evidencën e eksporteve të mallrave. Sot MINT ka sjell vendimin që ndalon eksportin dhe ri-eksportin të disa produkteve agro-ushqimore”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Miratohet rishikimi i buxhetit për vitin 2022, shtohen 150 milionë euro

Ndërsa, sipas ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari eksporti apo rieksporti i këtyre produkteve mund ta rrezikoj furnizimin e qytetarëve në vend.

“Eksporti dhe rieksporti i mallrave sado i vogël që është mund të rrezikoj furnizimin e popullatës sonë në të ardhmen. Në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe duke i përcjellë eksportet në baza ditore, prandaj për të lehtësuar gjendjen propozojmë që të bëhet ndalimi i përkohshëm i disa produkteve themelore. Vendimi mbështetet në Ligjin për Tregtinë e Jashtme dhe atë të Brendshme. Ndalohet eksporti apo rieksporti si drithërat, mielli, vaji ushqimor, sheqeri dhe kripërat”, tha Hajdari.

Po ashtu në këtë mbledhje është miratuar rritja e pagës minimale në 250 euro neto dhe është bërë shqyrtimi i buxhetit për vitin 2022. /Telegrafi/

Exit mobile version