Site icon Telegrafi

Kosova forcon bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me Emiratet e Bashkuara Arabe

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, gjatë qëndrimit të saj me delegacionin kosovar në Emirate të Bashkuara Arabe, është pritur në takim bilateral nga Ministri i Shtetit të EBA-s, Sh.T. Ahmed Ali Al Sayegh, me të cilin ka nënshkruar Protokollin e Parë të Komitetit të Përbashkët Ekonomik. 

Sipas ministrisë, ky protokoll rrjedh në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA).

Tutje thuhet se ai forcon bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, duke pasur për qëllim rritjen e tregtisë dhe tërheqjen e investimeve.

“Përmes këtij protokolli, Republika e Kosovës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, zotohen për të rritur bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, ku përfshihen: industria prodhuese, bujqësia, inovacioni dhe teknologjia e mençur, infrastruktura, energjia dhe turizmi”, thuhet në komunikatën për media.

Ndër të tjera, MINT-i ka bërë të ditur se nënshkrimi i këtij protokolli nga Hajdari i hap rrugën Republikës së Kosovës për të tërhequr investitorë të rinj strategjik nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ministrja Hajdari theksoi se Kosova mbetet e hapur për investime të qëndrueshme nga ky vend, derisa ftoi Ministrin e Shtetit, Sh.T. Ahmed Ali Al Sayegh, për vizitë në Republikën e Kosovës, për të parë nga afër mundësitë e shumta që ofrohen për investimet e huaja”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/

Exit mobile version