Site icon Telegrafi

Kosova fillon kapitullin e negociatave për tregtinë e shërbimeve me vendet EFTA 

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se Kosova ka filluar kapitullin e negociatave për tregtinë e shërbimeve me vendet EFTA, e para në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin për media thuhet se pas një procesi të gjatë të negociatave për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, për tregtinë e mallrave ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e falënderoi delegacionin e palëve negociuese për fillimin e raundit të parë të negociatave edhe për tregtinë e shërbimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve anëtare të EFTA – Norvegji, Islandë, Zvicër dhe Lihtenshtajn.

“Finalizimi sa më i shpejtë i kësaj marrëveshjeje, është i një rëndësie të madhe për Kosovën, pasi shkëmbimet tregtare me vendet e EFTA-s, veçanërisht me Zvicrën dhe Norvegjinë, janë vazhdimisht në rritje dhe kanë një bilanc të dukshëm pozitiv tregtar për mallra dhe shërbime.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe vendet e EFTA-s do të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha me rëndësi të veçantë për të zgjeruar marrëdhëniet tregtare, siç janë flukset e investimeve, duke përfshirë transferimin e teknologjisë, politikën dhe ligjin e konkurrencës, prokurimin publik, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe çështje dhe politika të tjera të lidhura me tregtinë, duke përfshirë tani edhe tregtinë e shërbimeve”, thuhet tutje në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version